Irani sulmon NATO-n/ Akuza të rënda për bashkëfajësi në luftën me SHBA-në

Irani sulmon NATO-n/ Akuza të rënda për bashkëfajësi

Irani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke i cilësuar ato si pranim të përfshirjes së aleancës në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Teherani kërkon llogaridhënie, duke e quajtur këtë një çështje të bashkëfajësisë në veprime ushtarake ndaj një shteti të pavarur.

Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, komentet e Rutte lidhen me deklarimet e tij për përdorimin e bazave ushtarake të NATO-s në Evropë gjatë operacioneve amerikane kundër Iranit.

Këto komente u bënë në përgjigje të kritikave të presidentit amerikan Donald Trump për mungesë koordinimi brenda aleancës në fushatën ushtarake ndaj Teheranit.

Rutte kishte deklaruar se gjatë konfliktit, që sipas raportimeve nisi me sulme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, janë kryer mijëra fluturime ushtarake amerikane nga baza në Evropë, përfshirë edhe në Itali.

Autoritetet italiane kanë mohuar përdorimin e bazave të tyre për operacione sulmuese, duke sqaruar se ato janë vënë në dispozicion vetëm për fluturime logjistike dhe mbështetëse në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me SHBA-në.

Ndërkohë, vendet evropiane të NATO-s kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për konfliktin, ku disa e kundërshtuan hapur ndërhyrjen ushtarake, ndërsa të tjerë zgjodhën një qasje më të kujdesshme. Kjo situatë ka sjellë tensione edhe brenda aleancës.

Pas zhvillimeve ushtarake, SHBA dhe Irani kanë arritur një armëpushim të përkohshëm, ndërsa së fundmi është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi që synon një marrëveshje afatgjatë paqeje brenda 60 ditëve.

EMISIONET