Irani i jep lamtumirën Ali Khameneit/ Miliona besimtarë në homazhe, ceremonia e varrimit vijon drejt Mashhadit

Irani vijon ceremonitë madhështore mortore për Ali Khamenei, ndërsa qindra mijëra, sipas raportimeve edhe miliona besimtarë, kanë dalë në rrugë për t'i dhënë lamtumirën figurës që drejtoi Republikën Islamike për më shumë se tre dekada.
Pas homazheve në Teheran, trupi i Khameneit u vendos në Xhamia Jamkaran, ku mijëra pelegrinë u mblodhën për të bërë lutje dhe për t'i dhënë nderimet e fundit. Qyteti i shenjtë i Qom, një nga qendrat më të rëndësishme të islamit shiit, u mbush me turma të mëdha besimtarësh dhe klerikësh.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ceremonia e lutjeve u drejtua nga Abdullah Javadi-Amoli. Gjatë homazheve u dëgjuan edhe thirrje kundër Shteteve të Bashkuara, ndërsa besimtarët u lutën pranë arkivolit të Khameneit dhe familjarëve të tij që, sipas autoriteteve iraniane, humbën jetën në të njëjtin sulm.
Një ditë më parë, rrugët e Teheran u mbushën me pjesëmarrës në ceremonitë mortore, në një manifestim që u konsiderua si një shfaqje force dhe uniteti kombëtar. Homazhet janë krahasuar nga mediat iraniane me funeralin e Ruhollah Khomeini në vitin 1989, një nga ceremonitë më të mëdha në historinë moderne të vendit.
Sipas raportimeve, procesioni mortor pritet të vijojë edhe në Irak, ku jeton një komunitet i madh shiit, përpara se trupi i ish-udhëheqësit suprem të dërgohet në Mashhad, vendlindjen e tij, ku është planifikuar ceremonia e varrimit.
Ceremonitë po zhvillohen nën masa të rrepta sigurie dhe në një klimë të tensionuar rajonale, ndërsa autoritetet iraniane e kanë cilësuar Khamenein si "martir", duke i kushtuar atij homazhe në të gjithë vendin.


