Shpërthim pranë hotelit ku pritej të akomodohej Emmanuel Macron në Damask/ Rriten masat e sigurisë

Një incident i rëndë sigurie është regjistruar këtë të martë në Damask, ku një pajisje shpërthyese ka shpërthyer pranë hotelit ku ishte planifikuar të akomodohej presidenti francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij zyrtare në Siri.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, shpërthimi u shkaktua nga një pajisje eksplozive e vendosur në zonë. Menjëherë pas incidentit, forcat e sigurisë rrethuan perimetrin, bllokuan rrugët përreth hotelit dhe vendosën masa të shtuara sigurie.
Dëshmitarë okularë thanë se dëgjuan shpërthime të forta, ndërsa mbi zonë u pa të ngrihej një re tymi, duke shkaktuar alarm mes banorëve dhe forcave të rendit.
Deri më tani nuk raportohen viktima apo të plagosur, ndërsa autoritetet siriane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.
Vizita e Emmanuel Macron në Damask konsiderohet historike, pasi ai është lideri i parë i një shteti të madh të Bashkimi Evropian që viziton kryeqytetin sirian pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad.
Për shkak të rëndësisë politike dhe diplomatike të kësaj vizite, masat e sigurisë ishin vendosur në nivel maksimal edhe përpara incidentit. Pas shpërthimit, ato u forcuan edhe më tej, ndërsa autoritetet vijojnë kontrollet në zonë për të garantuar sigurinë e delegacionit francez.
Hetimet janë në vazhdim dhe deri tani nuk ka një reagim zyrtar mbi motivet e shpërthimit apo nëse ai kishte lidhje të drejtpërdrejtë me vizitën e presidentit francez.


