IN MEMORIAM – Dy vite më parë u nda nga jeta kryeopozitari rus, Alexei Navalny

IN MEMORIAM – Dy vite më parë u nda nga jeta kryeopozitari rus,

Sot, më 16 shkurt 2026, mbushen dy vjet nga vdekja e Alexei Navalnyt, udhëheqësit të opozitës ruse, i cili vdiq në një burg siberian mbi Rrethin Arktik, 1 900 kilometra larg Moskës, pas më shumë se tre vitesh paraburgim.

Sot do të jetë një ditë përkujtimore.

Fitues i çmimit ”Saharov” në 2021, aktivisti 47-vjeçar rus e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij duke luftuar korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga Kremlini.

I arrestuar në janar 2021, ai u dënua me 19 vjet burg me akuzat për ekstremizëm, të konsideruara tërësisht të sajuara.

Moska ka mohuar përgjegjësinë për vdekjen e tij, duke ofruar versionin se Navalny “u ndje keq pas një shëtitjeje në mëngjes”.

Megjithatë, vetëm pak ditë më parë, pesë vende evropiane – Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda – akuzuan Kremlinin për vrasjen e kundërshtarit të tij kryesor me epibatidinë, një toksinë e rrallë dhe vdekjeprurëse e nxjerrë nga një bretkosë e vogël që jeton në Amerikën e Jugut.

Sipas televizionit rus, ai vdiq nga tromboza.

“Vrasja e Alexey Navalny është provuar nga shkenca”, tha të shtunën Yulia Navalnaya, e veja e udhëheqësit të opozitës ruse – e cila gjithmonë ka qenë e bindur për helmimin, së bashku me ministrat nga pesë vende evropiane që zyrtarisht drejtuan gishtin nga Moska.

Megjithatë, për Kremlinin, këto janë “thjesht insinuata”.

Për sekretaren e Jashtme britanike Yvette Cooper, “vetëm regjimi rus kishte motivin, mjetet dhe mundësinë për të administruar këtë helm vdekjeprurës ndërsa ai ishte në burg në Rusi”, duke shtuar se në dy vitet e fundit janë bërë përpjekje për të “kërkuar prova dhe të vërtetën”.

“Ata donin që ai të mbyllte gojën sepse ai ishte një kritik i regjimit të tyre, dhe kjo është arsyeja pse ne e denoncuam këtë komplot barbar të Kremlinit dhe u siguruam që ta bënim këtë me prova”, shtoi ajo.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio deklaroi gjithashtu dje se nuk kishte “asnjë” arsye për të vënë në dyshim gjetjet e pesë vendeve evropiane se udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny u helmua në burg.

Gjatë burgosjes së tij, Navalny kishte denoncuar mbylljen e tij të shpeshtë në një qeli ndëshkimi për shkelje të rregullave, e fundit prej të cilave ndodhi më 14 shkurt, dy ditë para lajmit të vdekjes së tij.

Ndër udhëheqësit e parë që i bënë homazhe kujtimit të tij ishte Macron.

“Dy vjet më parë, bota mësoi për vdekjen e Alexei Navalnyt. Unë i bëj homazhe kujtimit të tij”, shkroi presidenti francez, Emmanuel Macron në X.

“Thashë atëherë se, sipas mendimit tim, vdekja e tij foli shumë për dobësinë e Kremlinit dhe frikën e tij nga çdo kundërshtar. Tani është e qartë se kjo vdekje ishte e paramenduar”, shtoi ai.

Një vit më parë, në përvjetorin e parë të vdekjes së tij, dhjetëra qytetarë i bënë homazhe në varrezat ”Borisovo” në Moskë, ku prehet Navalny. Një procesion që është i destinuar të përsëritet./ATSH

EMISIONET