Hungaria bllokon deklaratën e BE-së për anëtarësimin e Ukrainës

Hungaria po bllokon dokumentin vjetor të Bashkimit Evropian mbi procesin e zgjerimit për shkak të refuzimit të saj për negociatat e anëtarësimit të Ukrainës në BE, tha sot ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.
Sipas Bjerre, qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka deklaruar se nuk do të mbështesë një vlerësim pozitiv të zhvillimeve në Ukrainë, por ky element i vlerësimit nuk mund të hiqej pasi ishte i mbështetur nga të gjitha shtetet e tjera të BE-së.
Danimarka mban presidencën e radhës të BE-së.
“Ne kemi 26 shtete anëtare që tregojnë mbështetje të fortë për Ukrainën, dhe Ukraina po jep rezultate”, shpjegoi Bjerre gjatë konsultimeve në Bruksel”.
“Formulimi për Ukrainën është i drejtë dhe i balancuar”, theksoi ajo.
Përfaqësuesi gjerman, Gunther Krichbaum, kritikoi sjelljen e Hungarisë dhe akuzoi Budapestin se po ngadalëson proceset e BE-së.
Për Ukrainën, vetoja e Hungarisë nënkupton se nuk mund të shpresojë më për fillimin e raundeve formale të negociatave për anëtarësim në BE.
Qeveria aktuale hungareze justifikon refuzimin e anëtarësimit të Ukrainës me nevojat e mëdha financiare të këtij vendi dhe pretendimin se pakica hungareze në Ukrainë po diskriminohet.
Me Hungarinë në mes të një fushate zgjedhore, nuk pritet që Orban të ndryshojë qëndrim dhe të heqë bllokadën deri pas zgjedhjeve të prillit.


