Grabitje si në filma/ “Agjentë” të maskuar hedhin në erë mjetin që transportonte para në autostradën italiane
![]()
Skena si në filmat “far west” janë raportuar sot në Pulia, në jug të Italisë. Momente të forta tensioni në superstradën 623 Lecce–Brindisi, pranë Tuturanos, ku një komandë e armatosur ka sulmuar një automjet që transportonte para, sipas “Il Messaggero”.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në autostradën që lidh zonën e Leçes dhe Brindisit.
Grabitësit ndaluan qarkullimin duke u shtirur si agjentë sigurie të dërgesës dhe përdorën eksplozivë për të hapur furgonin që transportonte para dhe sende me vlerë.
Sipas informacioneve paraprake, grabitësit kanë bllokuar rrugën duke vendosur një kamion në kryqëzim dhe duke i vënë flakën, çka ka detyruar mjetin e blinduar të ndalojë.
Në aksion kanë marrë pjesë të paktën tetë persona, të mbërritur me tre automjete të pajisura me drita blu, të ngjashme me ato të forcave të rendit.
Gjatë arratisjes, pranë daljes nga Cellino San Marco, në drejtim të Leçes, ka ndodhur një shkëmbim zjarri me karabinierët.
Një plumb ka përshkuar një automjet shërbimi të karabinierëve, duke thyer xhamin në anën e shoferit dhe duke kaluar përmes kabinës. Për fat, ushtarakët nuk janë plagosur.
Një karabinier civil ka tentuar ndjekjen e bandës, por automjeti i tij është përplasur qëllimisht dhe ka dalë nga rruga.
Ende nuk dihet nëse grabitja ka përfunduar me sukses, pasi dyshohet se në automjetin e transportit të vlerave mund të jetë aktivizuar sistemi mbrojtës me shkumë.
Ndërkohë, tre anëtarë të dyshuar të bandës janë ndaluar dhe arrestuar në zonën mes Campi Salentina, Guagnano dhe San Donaci.
Ata u bllokuan ndërsa udhëtonin me një automjet tip “Alfa Romeo Stelvio”. Hetimet vijojnë për identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit dhe sqarimin e plotë të ngjarjes.


