Gjigantët e IA-së mblidhen në Evian mes shqetësimeve për dominimin amerikan në teknologji

Drejtuesit e kompanive më të fuqishme të inteligjencës artificiale do të mblidhen sot në Francë, në kuadër të samitit të G7-tës, mes thirrjeve gjithnjë e më të forta në Evropë, për sovranitet teknologjik dhe shqetësimeve mbi dominimin amerikan në këtë sektor, raportoi AP.
Ndërsa luftërat në Iran dhe Ukrainë kanë dominuar diskutimet e liderëve të vendeve më të industrializuara të botës gjatë ditëve të fundit, inteligjenca artificiale pritet të jetë në qendër të vëmendjes, në ditën përmbyllëse të samitit.
Në një takim të rrallë të figurave kryesore të industrisë së IA-së, në një drekë pune me temën “Sigurimi i vendosjes së sigurt, të shpejtë dhe efektive të inteligjencës artificiale”, do të marrin pjesë drejtori ekzekutiv i “OpenAI”, Sam Altman, kreu i “Google DeepMind”, Demis Hassabis, si dhe drejtori i “Anthropic”, Dario Amodei.
Në takim do të jenë gjithashtu të pranishëm, drejtues të laboratorëve të tjerë të inteligjencës artificiale, përfshirë “Cohere AI” nga Kanadaja, “Mistral” nga Franca, “Black Forest Labs” nga Gjermania, “Domyn” nga Italia, “Sakana AI” nga Japonia dhe “Synthesia” nga Britania e Madhe.
Në Evropë, mosbesimi ndaj dominimit të kompanive amerikane, në fushën e inteligjencës artificiale dhe ekosistemeve të tjera teknologjike, është reflektuar si në institucionet evropiane, ashtu edhe në Vatikan.
Komisioni Evropian prezantoi këtë muaj, një paketë për sovranitetin teknologjik, që synon forcimin e kapaciteteve vendase në IA, ndërsa Papa Leone bëri thirrje muajin e kaluar, për zbatimin e ligjeve të rrepta të kësaj teknologjie.
Shumë vende jashtë SHBA-së, u alarmuan javën e kaluar, kur kompania “Anthropic” çaktivizoi modelet e saj më të avancuara të inteligjencës artificiale, “Fable 5” dhe “Mythos 5”, për të respektuar një urdhër të administratës së presidentit Donald Trump, i cili përmendi shqetësime të papërcaktuara të sigurisë kombëtare.
Qeveria amerikane ndaloi aksesin në këto modele, për çdo shtetas jo-amerikan, brenda ose jashtë territorit të SHBA-së, duke detyruar kompaninë të pezullojë shërbimin për të gjithë klientët.
Sipas “Zach Meyers”, drejtor i kërkimeve në institutin CERRE me seli në Bruksel, ky rast tregoi se Evropa, Kanadaja dhe vende të tjera, mund të gjenden në një pozicion tepër të cenueshëm, nëse u ndërpritet qasja në modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale.
“Ekziston një ankth i përgjithshëm për gjendjen e Evropës dhe për faktin se, po mbështetemi te vende të tjera, për infrastrukturën strategjike shumë të rëndësishme”, tha ai.
Edhe kryeministri kanadez, Mark Carney e përmendi çështjen gjatë samitit të G7-tës, duke deklaruar se zhvillimi i fundit tregon nevojën për të zgjeruar dhe diversifikuar kapacitetet teknologjike.
“Sovraniteti kërkon akses të pandërprerë në inteligjencën artificiale”, theksoi Carney gjatë një fjalimi në Dublin.
Më herët gjatë këtij muaji, Kanadaja shpalli planin, për të ndihmuar vendet me mendësi të ngjashme, të zhvillojnë alternativa ndaj gjigantëve aktualë të inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që përcakton një kuadër mbikëqyrjeje, për sistemet e avancuara të IA-së.
Samiti i G7-tës, shihet si një mundësi e rëndësishme për dialog, mes liderëve politikë dhe biznesit mbi përfitimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, ndërsa shtetet kërkojnë ta përdorin këtë teknologji, për të forcuar ekonomitë e tyre dhe pozicionin gjeopolitik.
Sovraniteti digjital, ka qenë prej kohësh një prioritet për presidentin francez Emmanuel Macron.
Qeveria e tij, ka ndërmarrë madje hapa konkretë, duke kërkuar që nëpunësit civilë të zëvendësojnë platformat “Zoom” dhe “Microsoft Teams”, me një sistem videokonferencash të zhvilluar në Francë.
Drejtori ekzekutiv i “Cohere”, Aidan Gomez deklaroi se, objektivi i kompanisë në samitin e G7-tës, është zgjerimi i partneriteteve për një ekosistem sovran të inteligjencës artificiale përtej Kanadasë dhe Gjermanisë, duke përfshirë të gjitha vendet e G7-tës dhe kompanitë e tyre.
Grupi G7 përbëhet nga Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe.
Në disa prej diskutimeve të samitit janë ftuar gjithashtu të marrin pjesë Brazili, India, Kenia dhe Koreja e Jugut.



