Trump i kërkon përmbajtje Izraelit, por sulmet në Liban vazhdojnë!

Trump i kërkon përmbajtje Izraelit, por sulmet në Liban

Forcat izraelite raportohet të kenë kryer sulme të reja në jug të Libanit, pavarësisht kritikave të reja nga presidenti amerikan, Donald Trump, ndaj veprimeve të Izraelit në këtë vend.

Të mërkurën, avionët luftarakë izraelitë kanë goditur zonën e Nabatieh al-Faëqa dhe periferinë e qytetit fqinj Kfar Tebnit, ka njoftuar Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA).

Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende, por më herët ka deklaruar se po synon grupin e armatosur Hezbollah, i mbështetur nga Irani.

Teksti i marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës ende nuk është publikuar, por Pakistani, i cili ka luajtur rol ndërmjetësues, ka deklaruar se ajo përfshin edhe Libanin.

Të martën, Trumpi ka thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duhet të tregojë “më shumë përgjegjësi ndaj Libanit”.

Duke folur në samitin e G7-s në Francë, ai ka thënë gjithashtu se Izraeli kishte luftuar kundër Hezbollahut për “shumë gjatë” dhe se “po vriten shumë njerëz”.

Si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu kanë vazhduar të kryejnë sulme ndaj njëri-tjetrit që nga shpallja e marrëveshjes SHBA-Iran të dielën në mbrëmje.

Më herët po atë ditë, një sulm ajror izraelit ndaj Bejrutit, i kryer si përgjigje ndaj një sulmi me raketa ndërkufitare nga Hezbollahu, kishte vënë nën presion përpjekjet për finalizimin e marrëveshjes.

Trumpi u ka thënë liderëve të G7-s se kishte një “marrëdhënie të shkëlqyer” me Netanyahun, por ka shtuar se nuk i kishte pëlqyer fakti që ai “kreu një sulm… që ishte i tepërt”.

“Pa Shtetet e Bashkuara nuk do të kishte Izrael. Pa mua nuk do të kishte Izrael, sepse asnjë president tjetër nuk ishte i gatshëm të bënte atë që bëra unë”, ka deklaruar Trumpi.

Netanyahu ka deklaruar të hënën se forcat e vendit të tij do të qëndrojnë në Liban “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar se Teherani do ta konsiderojë çdo sulm izraelit ndaj Libanit ose vazhdimin e pranisë ushtarake izraelite në territorin libanez si shkelje të marrëveshjes së përkohshme me SHBA-në.

Përmbajtja e marrëveshjes, e quajtur memorandum mirëkuptim, ende nuk është bërë publike zyrtarisht.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, të dyja palët pritet ta nënshkruajnë marrëveshjen të premten në resortin zviceran Bürgenstock, që ndodhet në Lucern.

Trumpi ka thënë se ka të ngjarë të mbajë një konferencë për shtyp ku do ta lexojë publikisht marrëveshjen mes SHBA-së dhe Iranit “fjalë për fjalë”.

Ai ka deklaruar gjithashtu se marrëveshja do të sigurojë që Irani “të mos ketë kurrë armë bërthamore” dhe se rruga ujore strategjike e Ngushticës së Hormuzit do të rihapet dhe do të jetë “pa tarifa kalimi.”

EMISIONET