Jeremy Clarkson përballet me diagnozën e kanc*rit në “Clarkson’s Farm!”

Jeremy Clarkson ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer, një lajm që u bë publik në episodet më të fundit të serialit të tij të njohur “Clarkson’s Farm”.
Prezantuesi 66-vjeçar u pa duke ndarë lajmin me bashkëpunëtorët e tij të afërt, Kaleb Cooper dhe Charlie Ireland, të cilët reaguan të tronditur nga diagnoza.
Clarkson nuk bëri të ditur llojin e kancerit nga i cili vuan, por tha se sëmundja është “agresive”. Ai zbuloi gjithashtu se, si pjesë e trajtimit, i është hequr një pjesë e prostatës.
“Bëra një biopsi dhe rezultoi se është kancer. Është agresiv, por fatmirësisht është zbuluar shumë herët”, tha ai gjatë episodit.
Megjithatë, prezantuesi i njohur u përpoq të qetësonte miqtë dhe fansat e tij, duke deklaruar: “Ju premtoj se do të jem mirë”, ndërsa shtoi se do të qëndrojë larg angazhimeve për një periudhë të shkurtër.
Pak orë para publikimit të episodeve finale të sezonit të pestë, Clarkson postoi një video në Instagram ku paralajmëroi ndjekësit se episodet do të ishin emocionalisht të vështira për t’u ndjekur.
Problemet shëndetësore të Clarkson kanë qenë pjesë e rëndësishme e sezonit të fundit të “Clarkson’s Farm”. Në fillim të sezonit, ai foli edhe për një ndërhyrje në zemër që kishte kryer në tetor të vitit 2024.
Në atë kohë, ai kishte zbuluar se një nga arteriet që furnizonin zemrën me gjak ishte plotësisht e bllokuar, ndërsa një tjetër po përballej me të njëjtin problem. Mjekët i vendosën një stent për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut.
Pavarësisht sfidave shëndetësore, Clarkson shprehet optimist për rikuperimin e tij dhe beson se diagnoza e hershme do të luajë një rol kyç në trajtimin e suksesshëm të sëmundjes.

