FRANCA NË ALARM/ 13 viktima nga mb*tja gjatë fundjavës mes valës së të nxehtit

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën nga mbytja gjatë fundjavës në Francë, njoftoi sot zëdhënësi i Sigurisë Civile, Jérome Boulanger.
Fillimisht ai raportoi 10 viktima vetëm gjatë ditës së diel, por më vonë bëri të ditur se numri total i të vdekurve nga e shtuna në mbrëmje deri të hënën në mëngjes kishte arritur në 13.
Në rajonin e Ile-de-France, dy persona humbën jetën nga mbytja pas orës 21:00 të së dielës, përfshirë një vajzë 13-vjeçare. Të dyja ngjarjet ndodhën në departamentin e Seine-et-Marne, ndërsa autoritetet ende po hetojnë rrethanat e sakta të incidenteve.
Franca po përballet me një valë të fortë të nxehti që ka goditur vendin prej gati një jave. Dyzet e nëntë departamente dhe rreth 35 milionë banorë u vendosën sot në nivelin më të lartë të alarmit për vapë ekstreme nga shërbimi meteorologjik francez.
Për shkak të temperaturave të larta, shumë qytetarë po kërkojnë mënyra për t’u freskuar, por autoritetet po paralajmërojnë për rreziqet e larjes në vende të pambikëqyrura. Zëdhënësi i Sigurisë Civile u bëri thirrje qytetarëve të zgjedhin vetëm zona të monitoruara nga rojet e shpëtimit.
Ai theksoi gjithashtu se për t’u freskuar nuk është e domosdoshme të shkohet në liqene apo lumenj, duke rekomanduar dushin si alternativën më të sigurt. Për familjet me pishina private, ai kujtoi se fëmijët duhet të mbikëqyren vazhdimisht nga një i rritur i dedikuar vetëm për këtë detyrë.
Autoritetet u kërkuan qytetarëve të mos përpiqen të shpëtojnë vetë persona në vështirësi në lumenj apo liqene të rrezikshme, por të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në numrat 18 ose 112.


