FOTO-LAJMI/ Ky është 21-vjeçari që u vr* sot, pasi hyri i armatosur në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago

Një 21-vjeçar i armatosur është qëlluar për vdekje nga agjentët e Shërbimit Sekret amerikan pasi hyri në mënyrë të paligjshme në perimetrin e sigurisë së rezidencës Mar-a-Lago të presidentit amerikan Donald Trump, në Palm Beach, Florida.
Sipas autoriteteve, i riu është identifikuar si Austin Tucker Martin, nga Karolina e Veriut. Ai dyshohet se kishte udhëtuar mbi 1100 kilometra drejt Floridës. Familjarët e kishin raportuar të zhdukur disa ditë më parë.
Në automjetin e tij është gjetur kutia e një arme gjahu (shotgun), ndërsa hetuesit besojnë se armën e kishte siguruar gjatë rrugës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të së dielës. Sipas policisë, 21-vjeçari tentoi të hynte në kompleks duke ndjekur nga pas një automjet që po dilte nga porta veriore. Ai mbante me vete një shotgun dhe një bidon me lëndë djegëse.
Dy agjentë të Shërbimit Sekret dhe një zëvendës sherif i qarkut Palm Beach e urdhëruan të hidhte armën.
Sipas deklaratës së sherifit Ric Bradshaw, i riu fillimisht uli bidonin me karburant, por më pas ngriti armën në pozicion qitjeje. Në atë moment, forcat e sigurisë hapën zjarr dhe e neutralizuan në vendngjarje. Asnjë efektiv nuk mbeti i plagosur.
Në kohën e incidentit, Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump ndodheshin në Uashington DC për një aktivitet zyrtar. Shërbimi Sekret konfirmoi se presidenti nuk ishte në Florida.


