EUROPA QENDRORE 'PËRVËLOHET/ Temperaturat e skajshme, meteorologët paralajmërojnë rritje të vazhdueshme

EUROPA QENDRORE 'PËRVËLOHET/ Temperaturat e skajshme,

Një valë e fortë të nxehti ka përfshirë Evropën Qendrore, duke sjellë temperatura rekord në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Meteorologët paralajmërojnë se ditët në vijim do të jenë edhe më të nxehta, ndërsa një rënie e lehtë e temperaturave pritet vetëm nga dita e hënë.

Në Gjermani u regjistrua temperatura më e lartë e matur ndonjëherë në vend, 41.3 gradë Celsius, ndërsa në disa zona gjatë fundjavës termometri mund të arrijë deri në 42 gradë.

Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për nxehtësi ekstreme dhe u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore, të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve më të nxehta, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetin fizik.

Nga nata e së dielës pritet një ndryshim i motit në Gjermani, me stuhi të forta, erëra intensive dhe fenomene të tjera atmosferike, kryesisht në veri dhe veriperëndim të vendit.

Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po ndikojnë jo vetëm në shëndetin e njerëzve, por edhe në ekonomi.

Sipas një studimi të Allianz Trade, nëse temperaturat ekstreme vazhdojnë me të njëjtin ritëm, Gjermania mund të pësojë humbje ekonomike deri në 112.5 miliardë euro deri në vitin 2030. Ndërtimi, industria, transporti, logjistika dhe prodhimi janë ndër sektorët më të prekur.

Temperatura shumë të larta janë regjistruar edhe në Austri. Në Bad Deutsch-Altenburg termometri arriti në 37.8 gradë Celsius, ndërsa në Vjenë pritet të shkojë deri në 40 gradë gjatë fundjavës.

Hekurudhat Austriake kanë njoftuar se temperaturat e larta mund të shkaktojnë vonesa në qarkullimin e trenave për shkak të ndikimit në infrastrukturë.

Edhe Zvicra po përballet me vapë të pazakontë. Për shkak të temperaturës së lartë të ujit në lumin Aare, u ndërpre përkohësisht funksionimi i centralit bërthamor Betznau për të mbrojtur ekosistemin e lumit. Ndërkohë, në Francë janë hapur zona për not në lumin Sena, ndërsa kërkesa për ventilatorë dhe pajisje ftohëse është rritur ndjeshëm për shkak të vapës.

EMISIONET