Erdogan: Thellësisht i shqetësuar nga sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit dhe ato iraniane në Gji
Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan tha sot se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit, ndërsa dënoi gjithashtu sulmet hakmarrëse të Teheranit në Gji dhe kërkoi masa për t’i dhënë fund konfliktit.
Konfrontimi filloi sot me sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit dhe u përshkallëzua shpejt në rajon kur Irani u hakmor duke qëlluar raketa dhe dronë në Izrael dhe shtetet e Gjirit që strehojnë baza amerikane.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër fqinjit tonë, Iranit”, tha presidenti Erdogan në një fjalim televiziv, ndërsa i konsideroi gjithashtu sulmet iraniane kundër shteteve të Gjirit “të papranueshme, cilado qoftë arsyeja”.
“Për të parandaluar vuajtje të mëtejshme në rajonin tonë, të gjithë aktorët, veçanërisht bota islamike, duhet të veprojnë”, shtoi ai.
”Turqia ka punuar shumë për një kohë të gjatë për të zgjidhur konfliktet në tryezën e negociatave. (…) Por mungesa e besimit midis palëve nuk mund të kapërcehej”, u ankua ai, duke premtuar të përshpejtojë përpjekjet diplomatike të Turqisë për t’i rikthyer palët ndërluftuese në bisedime.
Erdogan deklaroi se Turqia nuk kishte vërejtur ndonjë problem në aspektin e sigurisë përgjatë kufirit të saj 500 kilometrash me Iranin, duke siguruar se ”policia, xhandarmëria dhe shërbimet e inteligjencës po marrin të gjitha masat e nevojshme”.
Fqinjët e Iranit kanë kohë që kanë frikë se një valë e re sulmesh kundër vendit mund të destabilizojë të gjithë rajonin, me shqetësimet e tyre të përqendruara në një fluks të mundshëm refugjatësh.


