Izraeli: Është gjetur trupi i Khameneit. Teherani: Armiku bën lojëra psikologjike! Trump: Mund ta marr kontrollin e Iranit
Një zyrtar i lartë izraelit ka konfirmuar se është gjetur trupi i pajetë i liderit suprem të Iranit, Ajatollahut Ali Khamenei, raporton Reuters.
Në një reagim të shpejtë, media shtetërore iraniane duke cituar zyrën e marrëdhënieve me publikun të liderit suprem tha se: “Armiku po përdor lojëra psikologjike, kështu që të gjithë duhet të bëjmë kujdes”.
Më herët, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Khamenei “nuk është më me ne”, në një prononcim për mediat.
Prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës, Izraeli dhe SHBA kanë bombarduar Iranin, ndërsa Republika Islamike është përgjigjur duke bombarduar qytete të ndryshme dhe baza amerikane në Lindjen e Mesme
REAGIMI I TRUMP

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se ka disa rrugë përpara në një luftë kundër Iranit, përfshirë një përpjekje afatgjatë për të “marrë kontrollin” e vendit, në një intervistë të shkurtër për Axios.
“Unë mund ta zgjas (luftën) dhe të marr kontrollin e të gjithë vendit, ose ta përfundoj në dy ose tri ditë dhe t’u them iranianëve: ‘Shihemi përsëri pas disa vitesh nëse filloni të rindërtoni’” kapacitetet bërthamore të vendit”, tha ai për Axios.
Trump parashikoi gjithashtu se do të duhen “disa vjet” që Irani të rimëkëmbet nga sulmi i përbashkët SHBA-Izrael, i cili ndodhi pasi negociatat me udhëheqësin e vendit u bllokuan, sipas presidentit amerikan.
Në intervistë, Trump përmendi mungesën e përparimit në bisedimet mbi ambiciet bërthamore të Iranit dhe rekordet e tij, lidhur me sulme të ndryshme në mbarë botën.
Presidenti gjithashtu pretendoi se Irani kishte filluar të rindërtonte disa nga objektet që SHBA-ja kishte goditur vitin e kaluar, të cilat më parë i kishte quajtur “të shkatërruara”.
Trump nuk dha një afat të saktë për ofensivën, duke thënë se ajo do të varet nga zhvillimet në terren, përfshirë fatin e udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.


