Erdogan diskuton bashkëpunimin rajonal gjatë turneut në Arabinë Saudite dhe Egjipt

Erdogan diskuton bashkëpunimin rajonal gjatë turneut në

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po viziton sot Arabinë Saudite dhe nesër Egjiptin për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve dypalëshe si edhe zhvillimet rajonale dhe globale, njoftoi zyra e tij e komunikimit.

”Erdogan pritet të takohet në Riad me princin e kurorës Mohammed bin Salman për të shqyrtuar hapat drejt forcimit të lidhjeve diplomatike dhe ekonomike”, bëri të ditur zyra e tij në platformën X.

Erdogan do të udhëtojë nesër drejt Kajros për të bashkëkryesuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik Turqi–Egjipt me presidentin Abdel Fattah al-Sisi, ku bisedimet do të kenë fokus të veçantë mbi Palestinën.

Presidenti turk pritet gjithashtu të marrë pjesë në një forum biznesi në kryeqytetin egjiptian.

”Vizitat e njëpasnjëshme vijnë në një kohë kur Ankaraja po përpiqet të rindërtojë lidhjet e sigurisë dhe diplomacisë me partnerë kyç në Lindjen e Mesme pas luftës në Gaza, duke synuar njëkohësisht rritjen e tregtisë dhe investimeve”, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve AA.

Vizitat pasqyrojnë edhe dëshirën e Arabisë Saudite dhe Egjiptit për një koordinim më të ngushtë me Turqinë.

Ky ndryshim vjen në mes të shqetësimeve në rritje për rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal dhe dyshimeve gjithnjë e më të mëdha mbi besueshmërinë e garancive të sigurisë nga SHBA-ja.

EMISIONET