EKUADORI NËN T*RRORIN E BANDAVE/ Policia përballet me dr*gën, korrupsionin dhe dh*nën e përditshme
Në Ekuador, lufta kundër trafikut të drogës po zhvillohet në rrugë, mes bandave të armatosura dhe korrupsionit që ka depërtuar edhe në institucionet shtetërore. Sipas BBC-së, policia po zhvillon operacione të përditshme për sekuestrimin e armëve dhe arrestimin e trafikantëve, ndërsa autoritetet pranojnë se beteja mbetet e vështirë përballë fuqisë financiare dhe ndikimit të grupeve kriminale.

Në qytetin e Duránit, një nga zonat më të rrezikshme të Ekuadorit, lufta kundër bandave të drogës është kthyer në një betejë të përditshme. Policia patrullon rrugët e kontrolluara nga grupet kriminale, ndërsa banorët jetojnë në heshtje të frikësuar se çdo fjalë kundër bandave mund t'u kushtojë jetën.
Kapiteni i policisë Jean Carlos Bustamante pranon se sfida nuk janë vetëm trafikantët, por edhe korrupsioni brenda institucioneve. Sipas tij, banda kriminale paguajnë zyrtarë dhe informatorë, duke u mundësuar të shmangin shumë operacione policore.
Në një bastisje, efektivët gjetën armë dhe municione të fshehura në një banesë të braktisur. Në një tjetër operacion arrestuan disa persona të dyshuar për shpërndarje droge, por një pjesë e tyre u liruan më pas nga drejtësia. Policia thotë se kjo ndodh shpesh dhe fajëson korrupsionin në sistemin gjyqësor.
Ekuadori është kthyer në një nga korridoret kryesore të trafikut të kokainës drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Droga vjen nga Kolumbia dhe Peruja, ndërsa transportohet nga banda vendase të lidhura me kartelet meksikane dhe grupe kriminale ndërkombëtare.
Dhuna ka marrë përmasa alarmante. Vetëm vitin e kaluar u regjistruan mbi 9 mijë vrasje, ndërsa përplasjet mes bandave vazhdojnë të marrin jetë pothuajse çdo ditë. Megjithatë, autoritetet thonë se gjatë muajve të fundit numri i vrasjeve në Durán është përgjysmuar, një shenjë se operacionet policore po japin disa rezultate.
Por për banorët, frika mbetet pjesë e jetës së përditshme. Ata thonë se kriminelët janë kudo dhe se lufta kundër tyre duket ende larg fundit.

