E tmerrshme në Hungari/ 30-vjeçari mblidhte k*foma nga varrezat për t’i ...

E tmerrshme në Hungari/ 30-vjeçari mblidhte k*foma nga varrezat

Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në Hungari, ku autoritetet kanë arrestuar një 30-vjeçar të vetëshpallur si kanibal, i dyshuar për mbledhjen dhe posedimin e pjesëve të trupit të njeriut, të cilat besohet se i siguronte nga varreza të braktisura dhe përmes punës së tij në një spital.

Sipas policisë, hetimi nisi pas informacioneve se i riu mbante mbetje njerëzore si në vendin e punës ashtu edhe në banesën e tij në Budapest. Gjatë kontrollit të ushtruar më 17 qershor, hetuesit zbuluan një sasi të konsiderueshme pjesësh anatomike, përfshirë kafka, një këmbë të plotë, një dorë dhe një rindërtim të një fytyre njerëzore të realizuar me lëkurë njerëzore.

Në një valixhe u gjetën gjithashtu kocka të tjera, ndërsa në një kavanoz u sekuestrua një zemër, për të cilën ekspertët po verifikojnë nëse i përket një njeriu apo një kafshe.

Gjatë marrjes në pyetje, 30-vjeçari pranoi se kishte mbledhur organe dhe pjesë të trupit të njeriut, duke deklaruar se kishte një obsesion të veçantë për to. Ai dyshohet se ka pohuar gjithashtu se jo vetëm i koleksiononte, por edhe përgatiste ushqim me mbetje njerëzore dhe i konsumonte ato.

Aktualisht, ai mbahet në paraburgim dhe akuzohet për përdorim të paligjshëm të kufomave njerëzore. Sipas deklaratës së policisë, i arrestuari ishte i apasionuar pas anatomisë dhe patologjisë dhe merrej edhe me diseksionin e kafshëve.

Hetuesit besojnë se pjesët njerëzore mund t’i ketë siguruar përmes aktivitetit të tij profesional në spitale ose duke zhvarrosur kufoma nga varreza të braktisura në Hungari dhe Sllovaki.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan gjithashtu kompjuterë, telefona celularë, tableta, karta SIM dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës.

Ekspertët mjeko-ligjorë po analizojnë të gjitha mbetjet e gjetura për të përcaktuar origjinën e tyre, ndërsa policia nuk përjashton ngritjen e akuzave të tjera penale në varësi të rezultateve të hetimeve.

EMISIONET