Skandali i Maturës Shtetërore, Sula: Mijëra të rinj drejt ikjes teksa tezat dekonspirohen dhe notat manipulohen
Përfundimi i ciklit të provimeve të maturës shtetërore ka nxjerrë sërish në pah probleme të thella që po gërryejnë sistemin arsimor dhe shoqërinë shqiptare. Më shumë sesa një proces vlerësimi për dijet e gjimnazistëve, matura ka dëshmuar një rënie drastike të numrit të nxënësve, duke ngritur alarmin për shpopullimin dhe braktisjen masive të vendit nga brezi i ri.
Shifrat zyrtare tregojnë një realitet të zymtë demografik. Nga mbi 41,000 maturantë që numëroheshin në vitin 2016, sot në sistem figurojnë rreth 26,600 të tillë, duke shënuar një rënie prej gati 38%. Akoma më shqetësues mbetet fakti se rreth 4,000 nga këta të rinj po tërheqin dokumentacionin me synimin e vetëm për të nisur studimet e larta jashtë Shqipërisë.
Pedagogia Lili Sula, njëherësh dhe drejtuese e Departamentit për Arsimin në Partinë Demokratike, në një intervistë për “Ora News” theksoi se kjo tkurrje e frikshme do të përkthehet menjëherë në auditore të zbrazëta në universitetet e vendit dhe në një mungesë të theksuar të fuqisë intelektuale e punëtore në vitet e ardhshme.
Largimi i rinisë perceptohet jo vetëm si një krizë arsimore, por edhe si një çkombëtarizim i heshtur që po paralizon mendimin kritik në vend. Sula e lidh këtë situatë me një strategji të qëllimshme politike, duke akuzuar qeverinë se po tenton të spostojë vëmendjen e rinisë dhe të shmangë reagimin e tyre kundër pushtetit.
Projektet e fundit për transferimin e kampuseve studentore jashtë kryeqytetit shihen si një përpjekje e qartë për t'i mbajtur studentët sa më larg vëmendjes dhe angazhimit publik.
Nga ana tjetër, integriteti i vetë provimeve mbetet thellësisht i komprometuar. Edhe pse në disa qendra masat e kontrollit kanë shkaktuar presion psikologjik tek nxënësit, sidomos në Tiranë, rrjedhja e tezave në qytetet e tjera periferike zhvlerëson të gjithë procesin. Pasi një tezë publikohet në 20 minutat e para, ajo bëhet e aksesueshme në mbarë vendin, duke favorizuar abuzimet.
Pasojat e këtij keqmenaxhimi duken qartë në fiktivitetin e vlerësimeve. Gjatë viteve të fundit janë regjistruar raste anormale ku qindra nxënës me mesatare 5 gjatë gjimnazit, kanë arritur të vlerësohen me notën 10 në provimet e maturës.
Ky hendek i pashpjegueshëm shkatërron konkurrencën e ndershme dhe dëmton rëndë maturantët e merituar gjatë garës për në universitete.
Sistemi aktual vlerësohet nga Lili Sula si i paaftë për të matur dijet e vërteta. Dështimi konfirmohet edhe nga rezultatet e testimeve ndërkombëtare si PISA 2022, të cilat e renditën Shqipërinë shumë poshtë standardeve evropiane.
Pa një kalim të menjëhershëm drejt testimeve tërësisht digjitale dhe transparente, matura shtetërore rrezikon të mbetet thjesht një propagandë e radhës, duke fshehur kështu kolapsin e vërtetë të arsimit shqiptar.
PJESË NGA BISEDA
Do të doja ta nisja me një koment tuajin mbi procesin e maturës. Si do ta vlerësonit ju atë?
Lili Sula: Është bërë tashmë e traditës dhe e përvitshme të përsëritet i njëjti ritual në lidhje me daljen e tezës. Por të them të drejtën këtë vit nuk më shqetëson pikërisht ky fenomen, do ta diskutojmë dhe këtë sepse është shënjestruar në periferi tani.
Nuk më intereson dhe nuk është për mua çështje diskutimi sa ç'është ashtu siç edhe thatë ju në fillim, rënia e thellë e numrit të maturantëve nga viti në vit.
Ne kemi nga vjet, sivjet kemi mbi 2.000 maturantë më pak këtë vit shkollor. Pra, këtë vit ne kemi 26.600, ndërkohë prej tyre 4.000 maturantë kërkojnë të studiojnë jashtë vendit, gjë që është e totalisht e verifikueshme, sepse kanë kërkuar të pajisen me listën e notave dhe me dokumentacionin përkatës që u nevojitet atyre për të aplikuar në universitete e jashtë vendit.
Për mendimin tim, siç edhe besoj për shumë të tjerë, është dramatike kjo situatë e përvitshme e maturantëve, gjë që do të reflektohet më pas edhe në universitete, gjithmonë e më pak ne kemi në auditor studentë në vitin e parë, gjithnjë e më pak mësues ne kemi në tregun e punës dhe rënia e cilësisë edhe në raport me sasinë e studentëve ose të maturantëve të sotëm është domethënëse.
Pra është një shpjegim ose është një argumentim që cilësia sigurisht kur ka shumë pak maturantë që do të konkurrojnë për në universitete dhe kur pjesa më e madhe e tyre, pjesa më e mirë e tyre, synojnë dhe aplikojnë për të studiuar jashtë vendit, sigurisht që në Tiranë dhe në universitetet e tjera do të bjerë cilësia.
Është në vijimin e një politike shpopullimi, mirëfilli shpopullimi, që duhet të jetë çkombëtarizimi. Rënia e numrit të maturantëve do të sjellë ashtu siç edhe kanë thënë statistikat e nivelit ndërkombëtar, plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore, të fuqisë intelektuale në tregun e punës, mungesën e intelektualëve në artikulimin e mendimit publik, të mendimit politik.
Gjë që edhe pse protestat e sotme sigurisht janë për t'u lavdëruar, janë të çmuara, ne kemi vërejtur gjithë këto vite që mendimi i hapur publik, mendimi alternativ dhe kritika, gjykimi kritik ka qenë i rrafshuar, ka qenë i topitur.
Shumë pak njerëz kanë folur dhe kanë analizuar me sy kritik situatat në vendin tonë. Të largosh të ardhmen e kombit, për mendimin tim është një strategji për ta shpërqendruar vëmendjen për të mos pasur rini. Dje ka një zhvillim tjetër, kryeministri ka qenë në Durrës për projektin e kampusit studentor në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, por mos harroni që kjo lidhet me atë çfarë ai ka thënë në janar për studentët, për t'i spostuar studentët e Tiranës për të jetuar në Durrës.
Pra, në mendimin tim ka një vëmendje nga kryeministri për t'i pasur larg mendjes dhe larg syve të rinjtë sepse të rinjtë, studentët janë forcë reaguese, në çdo moment historik kanë treguar që dinë të reagojnë dhe janë një forcë që e kërcënojnë pushtetin e stërgjatë të këtij kryeministri. Nga ana tjetër unë besoj që duhet parë, kur të dalin të plota dhe të ketë statistika, duhet parë se çfarë ka sjellë menaxhimi i kësaj mature shtetërore në krahasim me maturat e tjera.
Pra sa real është ky vlerësim dhe se si mosdalja e tezës të paktën në disa provime... është për t'u thënë në fakt që teza këtë vit është deri diku e siguruar dhe nuk ka dalë siç ka dalë në vitet e tjera që në 20 minutat e para të provimit. Çfarë ka prodhuar? A ka prodhuar vërtet cilësi vlerësimi, pra është ruajtur realisht nota që maturantët kanë pasur gjatë viteve, gjatë tre viteve të gjimnazit në letërsi ose në matematikë ose në lëndët me zgjedhje, apo ka përsëri hendek që siç ka pasur vitet e tjera, unë bëj shembull kujtoj para dy vitesh rreth 300 maturantë kanë pasur hendek të notës, ose diferencë të notës midis notës së maturës dhe notës vjetore, kanë pasur 5 nota diferencë.
Pra një nxënës i 5-s ka shkruar drejtpërdrejt te 10-ta. Këto lloj tronditjesh të sistemit, të kurbës së vlerësimit këto ndikojnë shumë. Ndikojnë sigurisht për atë që ka kopjuar, për atë që ka marrë tezën dhe ka dalë, por ndikojnë shumë për komunitetin e maturantëve, të cilëve iu prish dhe iu cënon garën, iu cënon konkurrueshmërinë, kur ata do të konkurrojnë për t'u regjistruar në universitete në shtator të këtij viti.
Dhe a e mat matura dijen reale të nxënësit apo më shumë aftësi për t'u stërvitur me modele testesh? Si e shikoni ju?
Lili Sula: Absolutisht jo. Matura shtetërore teorikisht duhet ta masë, është një instrument për të matur rezultatin e studimeve dhe të mësimeve përgjatë tre viteve të gjimnazit. Por unë besoj se nuk e mat. Vlerësimet e PISA-s të 2022-shit kanë treguar që ne kemi maturantë të dobët, sepse vjet kanë dalë maturantët që janë testuar në 2022-shin.
Tashmë janë testuar në 2025-n të tjerë 15-vjeçarë që janë në gjimnaz. Dhe nuk ka sesi të ketë maturantë që do të masin dijet reale të tyre kur vlerësimet e PISA-s kanë dhënë alarmin për rënie të vlerësimeve aq shumë saqë nuk mund të krahasohet as me vendet që janë të prapambetura në sytë e një Evrope perëndimore.
Në mendimin tim matura do të duhej formatuar në sistemin digjital, të ishte totalisht një tjetër format për të matur realisht dijet e nxënësve dhe të mos bëhej një shfaqje publike dhe një propagandë e radhës e qeverisë se si po zhvillohet me masa ndëshkuese dhe me masa të kontrollit të imët, deri në presion të maturantëve.
Sidomos të maturantëve të Tiranës, për të cilët jam e sigurt që një pjesë e tyre kalojnë gati një shok kontrolli dhe shok psikologjik sepse ata do futen në provim vetëm për shkak të kontrolleve të imëta që u bëhen, ndërkohë që në qytetet e tjera sigurisht ka qenë shumë më e lirë.
Dhe të themi të vërtetën, në përgjithësi testet kanë dalë pikërisht jo në gjimnazet e kryeqytetit ose të paktën jo në gjimnazet kryesore të kryeqytetit. Kanë dalë në zona të tjera, por nëse testi del, del për të gjithë Shqipërinë sepse në kohë për shumë pak minuta ai bëhet publik për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë mësuesit dhe maturantët që janë aty.
Mjafton të dalë një kopje e tezës. Besoj që testimi i maturës shtetërore nuk mat realisht dijet e nxënësve që kanë marrë ndër vite dhe nuk është një matës i kulmit të tyre ose që tregon realisht se çfarë kanë mësuar ata maturantë gjatë këtyre viteve.
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME LILI SULËN




