BE kundër Kinës për luftën në Ukrainë/ Në qershor qëndrimi që do të mbajë ndaj Pekinit
Tensionit në marrëdhëniet mes Kinës dhe bashkimit evropian janë tepër të larta. Në samitin e qershorit, Unioni pritet të përcaktojë edhe qëndrimin që do të mbajnë ndaj Pekinit. Zërat kritikë ndaj Kinës u shtuan pas deklaratave të ambasadorit kinez në Paris që legjitimonte aneksimin e krimesë nga Rusia.
Deklaratat e bëra së fundi nga ambasadori i Kinës në Francë, që vënë në pikëpyetje sovranitetin e ish-shteteve sovjetike, sikurse Ukraina, kanë acaruar edhe më tepër marrëdhëniet mes Pekinit dhe Bashkimit Evropia.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel tha se politikat BE-Kinë do të jenë në agjendën e samitit që do të mbahet në muajin qershor. Duke shtuar se ministrat e punëve të Jashtme do ta përgatisin diskutimin nën drejtimin e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell.
Kujtojmë se disa ministra të Jashtëm të BE-së, duke folur përpara një mbledhje të përbashkët të hënën, shprehën shqetësimin e tyre rreth deklaratave të bëra nga ambasadori i Kinës në Francë.
“Janë krejtësisht të papranueshme”, tha ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, para nisjes së takimit në Luksemburg me homologët e tij nga shtetet e BE-së.
Lidhur me qëndrimin e tij nëse Krimea – gadishulli ukrainas që u aneksua paligjshëm nga Moska më 2014 – ishte pjesë e Ukrainës ose jo, ambasadori kinez në Paris, Lu Shaye, tha se historikisht ky gadishull ka qenë pjesë e Rusisë dhe i është dhënë Ukrainës nga ish-lideri sovjetik, Nikita Hrushov.
Po ashtu, kundër deklaratave të ambasadorit kinez më herët u deklaruan edhe Franca, Ukraina dhe tri shtetet e Baltikut.
Këto deklarata të ambasadorit kinez në Francë, vijnë teksa lufta në Ukrainë po vazhdon. Kina, aleate e Rusisë, nuk e ka dënuar Moskën për veprimet e saj, por ka kërkuar që konflikti të zgjidhet përmes dialogut.