Avokatja shqiptare e bllokuar në Dubai/ Avdyli: Fluturimet janë anuluar, rikthimi i mundshëm më 6 Mars
Në një komunikim direkt me studion e Ora News , Drita Avdyli ka rrëfyer situatën aktuale, duke shpjeguar se ndërsa jeta në qytet vijon e qetë, hapësira ajrore mbi të gjithë Gjirin Persik është mbyllur për arsye sigurie.
Sipas saj, bllokimi i fluturimeve nuk prek vetëm Dubain, por shtrihet edhe në shtete të tjera si Kuvajti, Riadi, Abu Dhabi dhe Amani. “Hapësira ajrore është bllokuar për shkak të sigurisë së jetës së qytetarëve, pasi ka shumë bombardime,” shpjegoi ajo, duke shtuar se edhe fluturimi i saj i kthimit, i planifikuar për ditën e shtunë, u anulua. Pavarësisht situatës së paqartë, avokatja shprehet optimiste për një zgjidhje të afërt.
Ajo ka arritur të gjejë një mundësi kthimi me një fluturim të kompanisë Pegasus në datën 6, por thekson se asgjë nuk është 100% e sigurt. Rikthimi i saj dhe i shumë të tjerëve varet nga rezultati i negociatave diplomatike që po zhvillohen në rajon. “Shpresojmë që të arrijnë në negocim.
Mundet që të kemi dhe një negocim dhe do kemi hapësira fluturuese,” tha ajo. Në kontrast me tensionin në ajër, jeta në tokë në Dubai duket se vijon normalisht.
Avokatja përshkruan një situatë të qetë, ku qytetarët po ndjekin udhëzimet e autoriteteve për të qëndruar në shtëpi, por pa panik.
“Këtu nuk ka lëvizur asnjë njeri nga shtëpia. Unë dje kam dalë dhe kam frekuentuar edhe plazhin,” tregon ajo, duke shtuar se për personat e bllokuar në aeroport, hotelet dhe ushqimi po ofrohen falas.
Situata duket më e tensionuar në kryeqytetin, Abu Dhabi, ku sipas saj, ka pasur bombardime gjatë mëngjesit. Si kundërpërgjigje, autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë ndërmarrë hapa drastikë, duke shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe duke dëbuar të gjithë trupin diplomatik iranian.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:

