Arrestohen pas 26 vitesh në arrati dy kushërinjtë shqiptarë të akuzuar për krime të rënda

Arrestohen pas 26 vitesh në arrati dy kushërinjtë shqiptarë

Një vrasje dhe një tentativë vrasjeje të ndodhura në vitin 1999 në Itali janë zbardhur pas më shumë se dy dekadash, duke çuar në arrestimin e dy kushërinjve shqiptarë, 50 dhe 47 vjeç, të cilët ishin në arrati prej 26 vitesh.

Sipas mediave të huaja, ngjarja e rëndë kishte ndodhur në Cesa, ku dy shtetas shqiptarë u sulmuan me shkopinj dhe thika gjatë një prite të dhunshme. Si pasojë, njëri prej tyre humbi jetën, ndërsa tjetri mbeti i plagosur rëndë. Sipas hetimeve, sulmi lidhej me përplasje për kontrollin e aktiviteteve të paligjshme në zonë.

Menjëherë pas krimit, dy të dyshuarit u zhdukën, duke u strehuar në Shqipëri, ku dyshohet se kanë jetuar për vite me identitete të rreme. Ata u lokalizuan dhe u arrestuan në qytetin e Durrësit, falë bashkëpunimit mes Departamentit të Policisë Kriminale shqiptare dhe autoriteteve italiane të sigurisë.

Të arrestuarit janë ekstraduar drejt Italisë dhe kanë mbërritur në aeroportin e Fiumicinos, të shoqëruar nga Shërbimi për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë, për t’u transferuar më pas në burg.

Ata do të përballen me akuzat për vrasje dhe tentativë vrasjeje.

EMISIONET