ANALIZA/ Pse kriza SHBA-Iran nuk është më vetëm një konflikt rajonal?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani shkëmbyen sulme të reja gjatë natës, ndërsa tensionet në Ngushticën e Hormuzit u përshkallëzuan edhe më tej.
Forcat amerikane ndërmorën një valë tjetër sulmesh ndaj objektivave iraniane, ndërsa Teherani sulmoi dy anije cisternë me naftë, të lidhura me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Ministria e Mbrojtjes e EBA-së bëri të ditur se dy raketa kruz goditën anijet cisternë, ndërsa ato po lundronin në korridorin jugor të transportit detar, brenda ujërave territoriale të Omanit.
Sipas ministrisë, një marinar indian humbi jetën dhe tetë të tjerë u plagosën.
Ndërkohë, media iraniane raportoi shpërthime në disa zona të bregdetit jugor të vendit, pasi ushtria amerikane kreu mbrëmë sulmin e tretë radhazi.
Trump rikthen bllokadën detare ndaj porteve iraniane
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët, sulme të tjera të fuqishme ndaj Iranit, si edhe rikthimin e bllokadës detare për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Sipas ushtrisë amerikane, bllokada pritet të hyjë në fuqi në orën 20:00 të ditës së sotme. Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm.
Në një intervistë, Trump la të kuptohet se SHBA-ja mund të godasë edhe objektin nëntokësor të njohur si “Malin e Kazmës”, në Iranin qendror.
Ky objekt ndodhet pranë kompleksit bërthamor të Natanzit dhe prej kohësh është objekt spekulimesh, pasi dyshohet se mund të përdoret për pasurimin e fshehtë të uraniumit, me potencial për prodhimin e armëve bërthamore.
Trump tha se Mali i Kazmës, është një objektiv i mundshëm dhe se SHBA-ja, me shumë gjasa, do ta godasë relativisht shpejt.
Shpërthime në jug të Iranit
Më vonë, ushtria amerikane njoftoi përfundimin e valës së re të sulmeve.
Media iraniane raportoi shpërthime në ishullin Kish në Gjirin Persik, pranë qytetit portual Bushehr, në ishullin Qeshm në Ngushticën e Hormuzit, si dhe në qytetin jugor Bandar Abbas.
Ndërkohë, Irani sulmoi dy anije cisternë me naftë, të cilat, sipas Emirateve të Bashkuara Arabe, po lundronin në ujërat territoriale të Omanit përgjatë korridorit jugor detar.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), e cituar nga mediat iraniane, deklaroi se ushtria amerikane kishte tentuar të devijonte disa anije drejt një “trajektoreje të paligjshme”.
Sipas saj, dy cisternat kishin fikur sistemet e navigimit dhe kishin shpërfillur paralajmërimet e përsëritura, përpara se të goditeshin dhe të nxirreshin jashtë funksionit.
Televizioni shtetëror jordanez, duke cituar ushtrinë, raportoi se katër raketa të lëshuara nga Irani kishin arritur të interceptoheshin.
Sirenat e alarmit ajror ranë sërish edhe në Bahrein, aleat i SHBA-së në Gjirin Persik. Ministria e Brendshme u kërkoi banorëve të qëndronin të qetë dhe të strehoheshin, pa dhënë detaje të tjera.
Bahreini dhe Kuvajti raportuan edhe një natë më parë, sulme me raketa.
Trump propozon tarifë 20% për kalimin në Ngushticën e Hormuzit
Ushtria amerikane tha se sulmet e fundit synonin të dobësonin më tej aftësinë e Iranit për të goditur anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës, gazit dhe plehrave kimike.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se SHBA-ja do të njihet si “Mbrojtësja e Ngushticës së Hormuzit” dhe se anijeve tregtare do t’u vendoset një tarifë prej 20%, ose çdo tarifë tjetër që konsiderohet e nevojshme për garantimin e sigurisë në këtë zonë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi në fund të qershorit se, asnjë shtet nuk ka të drejtë të vendosë tarifa për përdorimin e ujërave ndërkombëtare, pasi ato nuk i përkasin asnjë vendi të vetëm.
Sipas tij, një kërkesë e tillë nuk mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje të pranueshme.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ironizoi propozimin e Trump në platformën X, duke thënë se presidenti amerikan kishte “plotësisht të drejtë” dhe se kushdo që garanton kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit duhet të kompensohet për këtë shërbim.
“Irani ka qenë gjithmonë MBROJTËSI i Ngushticës së Hormuzit dhe do të mbetet i tillë PËRGJITHMONË. Tarifa 20% është sigurisht shumë e lartë. Ne do të jemi të drejtë,” shkroi ai.
Ditët e fundit, SHBA-ja ka kryer disa sulme ndaj objektivave iraniane, duke thënë se ato janë një përgjigje ndaj sulmeve të Iranit kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme, përfshirë goditje ndaj shteteve të Gjirit.
Përshkallëzimi i shkëmbimit të sulmeve ka rritur frikën, për rikthimin e një lufte në shkallë të gjerë në rajon, veçanërisht pasi Trump deklaroi javën e kaluar se armëpushimi me Teheranin kishte përfunduar.


