Zhupa-mazhorancës: Rrëzimi i shfuqizimit të ligjit 21/2024 iu duhet për të realizuar projektet turistike

Zhupa-mazhorancës: Rrëzimi i shfuqizimit të ligjit 21/2024 iu

Deputetja demokrate, Ina Zhupa, hodhi sot akuza në drejtim të mazhorancës, se po rrëzon me 7 vota futjen në kalendar të shfuqizimit të ligjit 21/2024 për zonat e mbrojtura, pasi iu duhet për të realizuar projektet e librit “The Albanian Files”.

Zhupa thekson përmes një postimi në rrjetet sociale se refuzimi për ta futur nismën në kalendar deri në fund të korrikut tregon se mazhoranca nuk dëshiron as debat dhe as shfuqizimin e ligjit, pasi ai u shërben projekteve të parashikuara në zonat e mbrojtura.

Sipas Zhupës, ligji 21/2024 ka hapur rrugën për ndërtime në këto zona, duke dobësuar mbrojtjen e tyre dhe i lidh ato me vizionin e kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e turizmit shqiptar.

“Sot, në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën kërkova që në projekt-kalendarin e punimeve të përfshihej për shqyrtim nisma ime për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, të cilën e kam depozituar që më 14 maj.

Përfaqësuesit e mazhorancës votuan 7 vota kundër dhe refuzuan ta fusin në kalendar deri në fund të korrikut. Një vendim që tregon qartë se nuk duan as debat, e jo më shfuqizim të këtij ligji.

Arsyeja është e qartë: shfuqizimi i ligjit do t’u prishte planet për betonizimin e zonave të mbrojtura. Pikërisht ato projekte që promovohen në librin “Albanian Files”, të shpallur nga Edi Rama si vizioni për të ardhmen e turizmit shqiptar, me vila, resorte dhe ndërtime në zemër të natyrës së mbrojtur.

Ligji 21/2024 hapi derën për ndërtime në zonat e mbrojtura, dobësoi mbrojtjen e pasurisë sonë natyrore dhe vuri në rrezik biodiversitetin, peizazhet dhe të ardhmen e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj ai duhet të shfuqizohet sa më parë”,-shkruan Zhupa.

EMISIONET