Zhduken 20 tonë djathë gjatë transportit, policia gjermane përballet me një mister prej 80 mijë eurosh

Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet pas zhdukjes së një ngarkese prej 20 tonësh djathë "Emmental", e cila nuk mbërriti kurrë në destinacionin e saj në Francë.
Sipas policisë, një kompani transporti kishte kontraktuar një tjetër kompani për të kryer dërgesën. Një kamion mbërriti në kohë në fabrikën e djathit në qytetin bavarez të Bayreuth për të marrë ngarkesën, por më pas humbi çdo gjurmë.
Kamioni nuk mbërriti kurrë në destinacionin e parashikuar në Francë dhe deri më tani nuk dihet se çfarë ka ndodhur me ngarkesën.
Vlera e 20 tonëve djathë "Emmental" llogaritet rreth 80 mijë euro.
Policia gjermane po heton rrethanat e rastit dhe po përpiqet të zbulojë se ku përfundoi ngarkesa, ndërsa nuk janë bërë të ditura detaje të tjera për drejtuesin e kamionit apo kompaninë që mori përsipër transportin.

