Alarmi demografik në Berlin/ Gjermania shënon rënien më të madhe të lindshmërisë në 3 dekada

Gjermania po përballet me një krizë të thellë demografike, duke regjistruar normën më të ulët të fertilitetit në gati tri dekadat e fundit. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave konfirmojnë se mesatarja e numrit të fëmijëve për grua ka rënë në 1.32 gjatë vitit 2025, nga 1.35 që ishte një vit më parë.
Ky përfaqëson nivelin më të ulët të lindshmërisë që nga viti 1997, duke ndezur dritat e kuqe të alarmit për autoritetet për shkak të plakjes së shpejtë të popullsisë dhe pasojave të rënda që kjo pritet të sjellë në ekonominë e vendit dhe në tregun e punës.
Rënia e lindjeve ka prekur pothuajse të gjithë territorin gjerman. Ulja e normës së fertilitetit u regjistrua në të gjitha landet e vendit, me përjashtim të Hamburgut, ku u vu re një rritje mjaft e lehtë duke arritur në 1.24 fëmijë për grua.
Sipas raportit, landi që shënoi goditjen më të madhe ishte Mecklenburg-Vorpommern në Gjermaninë lindore, ku lindshmëria ra me 6.3 për qind, duke u ndalur në kuotën e 1.21 fëmijëve për grua. Në përgjithësi, landet e ish-Gjermanisë Lindore vazhdojnë të mbajnë shifra dukshëm më të ulëta në krahasim me ato të perëndimit.
Analiza e hollësishme e statistikave tregon se ky trend negativ ka prekur si shtetaset gjermane, ashtu edhe ato të huaja që jetojnë në vend. Tek gratë me nënshtetësi gjermane, mesatarja ka rënë në 1.20 fëmijë për grua.
Nga ana tjetër, gratë me shtetësi të huaj mbajnë ende një normë më të lartë lindshmërie prej 1.78 fëmijësh, mirëpo edhe ky grup ka pësuar një rënie të ndjeshme në krahasim me normën prej 1.84 që regjistrohej një vit më parë. Kjo rënie e përgjithshme shton shqetësimet për qëndrueshmërinë e skemave të pensioneve dhe mungesën akute të fuqisë punëtore në fuqinë më të madhe ekonomike të Europës.


