Ekonomia shqiptare me sinjale të përziera/ Bien pritshmëritë në ndërtim dhe shërbime

Ekonomia shqiptare me sinjale të përziera/ Bien pritshmëritë

Besimi në ekonominë shqiptare ka shënuar një rënie të lehtë gjatë muajit qershor. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u ul me 0.6 pikë, megjithatë vijon të mbetet mbi mesataren historike, duke reflektuar një klimë ekonomike ende pozitive.

Rënia është ndikuar kryesisht nga përkeqësimi i pritshmërive në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit. Bizneset në këto fusha kanë raportuar vlerësime më pak optimiste për aktivitetin aktual, ndërsa në ndërtim peshuan negativisht edhe rënia e kontratave porositëse.

Në kahun tjetër, industria, tregtia dhe konsumatorët kanë shfaqur një përmirësim të perceptimit për ecurinë ekonomike, duke zbutur ndikimin e sektorëve në rënie.

Pas disa muajsh me ecuri negative, industria regjistroi një rritje të treguesit të besimit me 0.6 pikë përqindje. Bizneset presin shtim të porosive, rritje të eksporteve dhe përmirësim të punësimit në muajt në vijim.

Edhe sektori i tregtisë shfaqi optimizëm, me treguesin e besimit që u rrit me 2.8 pikë përqindje, i mbështetur nga pritshmëri më të mira për aktivitetin aktual të biznesit.

Ndërkohë, konsumatorët kanë raportuar përmirësim të situatës së tyre financiare dhe gatishmëri më të lartë për të kryer blerje me vlerë të madhe.

Sipas Bankës së Shqipërisë, megjithëse besimi në ekonomi ka pësuar një luhatje të lehtë, niveli i tij mbetet mbi mesataren afatgjatë, duke treguar se pritshmëritë për ekonominë vijojnë të jenë përgjithësisht pozitive.

 

EMISIONET