VR*SJA NË DERË TË GJYKATËS/ Gjykata e lartë kthen dosjen ne apel, te hetohet personat në konflikt
Gjykata e Lartë riktheu për rigjykim në Apel dosjen e vrasjes së Kudret Saliajt, duke prishur vendimin për Mexhit Picarin dhe vajzën e tij, Dhurata Saliaj. Vendimi erdhi pas rekursit të avokatit të viktimës, i cili kërkon që edhe Dhurata Saliaj të hetohet për bashkëpunim në vrasje.
Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e 12 korrikut 2023 të Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila dënoi me burgim të përjetshëm Mexhit Picarin, të akuzuar për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj.
Sipas vendimit të shkallës së tretë, çështja do të rikthehet për rigjykim në Gjykatën e Apelit, me një trupë tjetër gjykuese. Vendimi u mor pas rekursit të avokatit Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur gjatë ngjarjes dhe ishte përfaqësues ligjor i viktimës.
Cama kërkoi që për akuzën e bashkëpunimit në vrasje të gjykohet edhe Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit dhe ish-bashkëshortja e viktimës, Kudret Saliaj.
Mexhit Picari u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa e bija, Dhurata Saliaj, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg. Sipas vendimit të Apelit, ajo u shpall fajtore për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjes, ndërsa akuza për bashkëpunim në vrasje u rrëzua.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 4 qershorit 2021, në një lokal pranë Gjykatës Civile në Tiranë, ku 53-vjeçari Mexhit Picari ekzekutoi me armë zjarri dhëndrin e tij, Kudret Saliaj, 41 vjeç, vetëm pak minuta para nisjes së seancës së pestë gjyqësore të procesit të divorcit mes çiftit.
Nga të shtënat mbeti i plagosur, jashtë rrezikut për jetën, edhe avokati i viktimës, Adriatik Cama, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë.
Hetimet zbuluan se konflikti për kujdestarinë e tre fëmijëve ishte shkaku i ngjarjes, ndërsa takimet e nënës me fëmijët zhvilloheshin në prani të një psikologe.

