Alarm nga mjekët/ Shtohen infarktet te të rinjtë, kontrollet pas moshës 35 vjeç konsiderohen jetike

Alarm nga mjekët/ Shtohen infarktet te të rinjtë, kontrollet pas

Infarktet e zemrës po prekin gjithnjë e më shumë edhe moshat e reja. Këtë e konfirmojnë mjekët kardiologë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, të cilët vërejnë një rritje të rasteve të pacientëve të rinj të prekur nga sëmundjet e arterieve koronare dhe infarkti i miokardit.

Sipas specialistëve, rritja lidhet ngushtë me stilin e jetesës, ushqyerjen jo të shëndetshme, hipertensionin, diabetin, nivelet e larta të yndyrnave në gjak, por edhe me stresin dhe faktorët psikologjikë.

Edhe pse infarktet kanë qenë tradicionalisht më të shpeshta pas moshës 40 vjeç, mjekët theksojnë se vitet e fundit janë shtuar rastet edhe te pacientët më të rinj, të cilët kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar.

Një tjetër shqetësim është se infarkti i miokardit jo gjithmonë jep shenja paralajmëruese. Megjithatë, te disa persona mund të shfaqet me dhimbje gjoksi gjatë aktivitetit fizik ose edhe në qetësi. Për këtë arsye, kardiologët rekomandojnë që të gjithë personat mbi 35–40 vjeç, veçanërisht ata me histori familjare ose faktorë rreziku, të kryejnë kontrolle periodike të zemrës.

Mjekët paralajmërojnë gjithashtu se valët e të nxehtit përbëjnë një rrezik shtesë për personat me sëmundje kardiovaskulare. Temperaturat e larta rrisin ngarkesën e zemrës, shkaktojnë ulje të tensionit arterial dhe çrregullime të ekuilibrit të kripërave në organizëm.

Sipas tyre, gjatë dy ose tre ditëve të para të një vale të nxehti, shtrimet në spital për infarkt dhe sëmundje të zemrës mund të rriten me 10 deri në 20 për qind.

Apeli i mjekëve është i qartë: konsumoni sa më shumë lëngje, shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe mos neglizhoni kontrollet kardiologjike, sidomos nëse keni faktorë rreziku.

 

EMISIONET