250-vjetori i Pavarësisë, Donald Trump: Pak kohë më parë ishim një vend i vdekur, tani askush nuk qesh më me ne

Presidenti amerikan Donald Trump hapi zyrtarisht aktivitetet përkujtimore të 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara me një ceremoni të organizuar në zemër të Uashingtonit, ku nuk munguan performancat artistike, demonstrimet ajrore dhe elementët simbolikë të historisë amerikane.
Aktiviteti, i zhvilluar në National Mall, mblodhi mijëra pjesëmarrës dhe shënoi fillimin e një kalendari të gjerë festimesh që do të zgjasin për javë të tëra në mbarë vendin. Programi përfshiu fluturime të avionëve ushtarakë, interpretime nga banda të forcave të armatosura dhe këngë patriotike, mes tyre edhe “God Bless the USA” e Lee Greenwood.
Gjatë fjalës së tij, Trump vlerësoi historinë e Shteteve të Bashkuara dhe rolin e saj në botë, duke deklaruar se vendi po përjeton një periudhë të re fuqizimi dhe prosperiteti.
“Nuk ka ekzistuar kurrë një komb si Shtetet e Bashkuara. Së bashku po ndërtojmë një Amerikë më të fortë, më të suksesshme dhe më të jashtëzakonshme se kurrë më parë”, u shpreh presidenti para mbështetësve të tij.
Trump theksoi gjithashtu se, sipas tij, vendi ka rifituar respektin në arenën ndërkombëtare dhe ka lënë pas vështirësitë që e karakterizuan vitet e fundit.
“Amerika është rikthyer. Kishte nga ata që mendonin se vendi ynë ishte në rënie, por sot SHBA-ja është sërish në qendër të vëmendjes globale. Respektohemi kudo dhe pozicioni ynë është më i fortë se më parë”, deklaroi ai.
Ceremonia ishte pjesë e nisjes së “Panairit të Madh të Shtetit Amerikan”, një seri aktivitetesh kulturore, historike dhe festive që do të zhvillohen në prag të përvjetorit të madh të vitit 1776, kur u shpall pavarësia e Shteteve të Bashkuara.
Festimet do të shtrihen në një zonë të gjerë të kryeqytetit amerikan, nga ndërtesa e Kongresit deri te Memoriali i Abraham Lincolnit, duke përfshirë ekspozita, koncerte, aktivitete edukative dhe ngjarje që synojnë të pasqyrojnë historinë dhe identitetin amerikan gjatë 250 viteve të ekzistencës së vendit.

