"Provim" për dosjet, Hajdarmataj e Prela para KLP-së, pyeten për përgjimet e "339"

"Provim" për dosjet, Hajdarmataj e Prela para KLP-së, pyeten

KLP ka marrë në pyetje katër prokurorët e radhës nga krimet e rënda që kandidojnë për të qenë pjesë e SPAK. Besim Hajdarmataj dhe Donika Prela janë pyetur për dosjet e nxehta, ndër to dosjen “Tahiri”, “339” “Shullazi” dhe për përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane "Bild". I thirrur për tu intervistuar ishte dhe prokurori Behar Dibra, i cili nuk u paraqit për shkak të angazhimeve në një proces gjyqësor. Ai do të intervistohet të premten, 12 korrik, ora 12:00. Prokurorëve u janë drejtuar pyetje edhe nga përfaqësuesit e OPDAT dhe Euralius.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vijuar edhe këtë të martë intervistimin e kandidatëve të cilët garojnë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Para KLP-së, kanë dalë prokurorët e krimeve Besim Hajdarmataj, Besnik Muçi, Doloreza Musabelliu, dhe drejtuesja e këtij institucioni Donika Prela.

Besim Hajdarmataj pyetet për dosjet e "nxehta" dhe përgjimet e publikuara nga Bild

KLP e ka pyetur prokurorin Hajdarmataj për dosjet më të nxehta, ndër to dosjen "Shullazi", "Tahiri" dhe "339". EURALIUS dhe OPDATE e kanë pyetur prokurorin në veçanti për materialet e përgjimeve të publikuara nga gazeta "Bild", cili u është përgjigjur se përderisa Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka pasur një sektor të vetin për përgjimet, atëherë është e vështirë të përcaktohet nga kush kanë dal ato.

Donika Prela pyetet për dosjen 339

Në intervistën para KLP-së gjithashtu edhe drejtuesja e prokurorisë së krimeve të rënda, Donika Prela është pyetur për daljen e sekretit hetimor të dosjes ‘339’ si edhe nëse ka pasur presion mediatik. Ajo ka deklaruar se ka pasur presion mediatik por e ka kaluar atë. Mësohet se Donika Prela ka deklaruar se nxjerrja e sekretit hetimor i dosjes ‘399’ është në hetim dhe presin rezultate. Prela gjithashtu është pyetur dhe për shortin e dosjes Shullazi, ku ka deklaruar se lëvizjet e bërë, janë të duhurat.

Prokurori Behar Dibra s'paraqitet në KLP për intervistë: Më caktoni një datë tjetër

I thirrur për tu intervistuar në kuadër të krijimit të SPAK, ishte dhe prokurori Behar Dibra, i cili nuk është paraqitur në këshillin e lartë të prokurorisë.  Dibra ka dërguar pranë KLP-së edhe një letër me arsyet e mos paraqitjes, që sipas tij është i angazhuar me një proces gjyqësor. Ai ka kërkuar nga KLP që t'i caktohet një datë tjetër për të dhënë intervistën për vlerësimin e tij për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.KLP vendosi të caktojë ditën e premte për ta intervistuar, datë 12 korrik, ora 12:00.

Prokurorët kanë qëndruar për rreth 60 minuta ndërsa procesi është regjistruar nga vete KLP. Seancat do të zhvillohen deri në 12 korrik ku do të intervistohen të gjithë prokurorët që kanë kandiduar pavarësisht se pjesa me e madhe e tyre nuk kanë kaluar në vetting . Ndërkohë që në datën 10 do të intervistohen prokuroret, Dorina Bejko, Dritan Prençi, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, dhe drejtuesja e prokurorisë së tiranës Elisabeta Imeraj.


EMISIONET