Paris Hilton rikthehet në shkollën ku u rrit/ Mbështet familjet që akuzojnë institucionin për ab*zime ndaj fëmijëve

Paris Hilton është kthyer në Provo Canyon School në Utah, SHBA, ku ka qëndruar si adoleshente, për të mbështetur dy familje që kanë ngritur padi për abuzim të dyshuar ndaj fëmijëve në këtë institucion.
Ajo ka treguar se ka kaluar rreth një vit në këtë shkollë në fund të viteve ’90 dhe se më pas ka përjetuar trajtim të ashpër, duke përfshirë dhunë fizike, izolim dhe dhënie të barnave të panjohura, sipas pretendimeve të saj.
Gjatë vizitës, Hilton ka thënë se rikthimi në atë vend ka qenë diçka për të cilën është përgatitur prej vitesh dhe se sot ndihet e fortë për të folur hapur për përvojën e saj.
Ndërkohë, dy familje kanë ngritur padi të reja kundër institucionit, duke pretenduar raste të ndryshme neglizhence dhe mungese të ndihmës mjekësore për fëmijët e tyre, ku përfshihen edhe lëndime serioze dhe komplikime shëndetësore.
Autoritetet shëndetësore në Utah kishin vendosur më herët kufizime të përkohshme për shkollën, pas shqetësimeve për mënyrën se si trajtoheshin rastet mjekësore të nxënësve. Këto masa pritet të skadojnë së shpejti.
Provo Canyon School është shprehur se nuk komenton raste individuale për shkak të rregullave të privatësisë, por ka deklaruar se siguria dhe mirëqenia e nxënësve mbeten prioritet.
Hilton i ka bërë thirrje autoriteteve lokale që të shqyrtojnë seriozisht situatën dhe ka kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e të rinjve në institucione të tilla.


