I riu gjendet i vrarë në kanal, 8 muaj më parë i vëllai vrau 45-vjeçarin në Durrës
Një 34-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në Zall Xhuxhë të Njesisë Administrative të Fanit në Mirditë. Eri Zefi me banim në fshatin Adriatik të Kurbinit u gjet i vrarë rreth orës 16:00 të së mërkures në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg Rrugës së Kombit.
Ka qenë një banor i zonës i cili ka pikasur trupin e viktimës dhe menjëherë ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen. Blutë e Mirditës u nisen menjëherë drejt vendit të ngjarjes dhe nisen hetimet, ndërsa trupi i pajetë i viktimës u dërgua në morgun e spitalit të Rrëshenit. Sipas burimeve, ai është është qëlluar me një plumb me kokë dhe dyshohet se ka gjetur menjëherë vdekjen.
Dyshimet e policisë janë se ai mund të jetë vrarë gjatë natës së kaluar, ndërsa ende nuk dihet nëse është ekzekutuar në vendin ku është gjetur apo mund të jetë sjellë i vrarë aty. Vendi ku u gjet viktima është zonë e pabanuar, çka vështireson punën e grupit hetimor për të zbardhur dinamikën e krimit. Ndërkohë në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo provë tjetër meteriale, çka hedh dyshime se autorët mund të kenë qenë vrasës profesionistë.
Ndërkohë pritet kryerja e ekspertizës mjeko-ligjore në trupin e viktimës për të parë mënyrën se si mund të jetë ekzekutuar 34-vjeçari Zefi. Menjëherë pas ngjarjes policia ka ngritur disa pika kontrolli si dhe po bën kontrolle të zonës për të rënë në gjurmet e autorëve.
Gjithashtu mësohet se janë shoqëruar në disa persona në polici si dhe po merren në pyetje familjarë të viktimës për të mësuar më tepër rreth veprimtarisë së tij.
Ndue Zefi autori i vrasjes në Durrës, 24 shkurt 2019
Policia po heton pistën e vrasjes për hakmarrje, pasi viktima Eri Zefi rezulton të jetë vëllai i Ndue Zefit i cili në muajin shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, ngjarje e ndodhur në qytetin e Durrësit.
Krimi ndodhi pas një sherri në lokal në sy të djalit 10-vjeçar të Martin Ndrecës. Pak ditë pas krimit të kryer, Ndue Zefi është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës dhe vijon të qëndrojë në burg në pritje të dënimit që do ti japë Gjykata e Durrësit.
Dy familjet Ndreca dhe Zefi ishin nga Mirdita dhe prej vitesh ishin zhvendosur me banim në qytetin e Durrësit. Hetimet e policisë janë përqëndruar pikërisht tek hasmëria mes dy familjeve, por nuk përjashtohet mundësia që 34-vjeçari të ketë patur ndonje konflikt tjetër, çka ka çuar në ekzekutimin e tij me armë zjarri.
