Marrëdhënie e ngurtë me PD, Kryemadhi: E pavërtetë, Rama hap fjalë sikur ka shantazhuar Bashën
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një intervistë ekskluzive për RTV Ora ka hedhur poshtë perceptimet se ka një marrëdhënie të ngurtë me PD.
Kryemadhi tha se këto janë vetëm ëndërrimet e kryeministri Rama, i cili sipas saj, thotë se ka shantazuar Lulzim Bashës.
Ajo tha se nëse kryeministri do kishte shantazuar kreun e PD nuk do e bënte publike por do e mbante private.
Gazetari: Ka një perceptim për një marrëdhënie të ngurtë të LSI me PD
Monika Kryemadhi: "Absolutisht fare. Këto janë ëndërrimet e Edi Ramës që thotë që e ka shantazhuar Lulzim Bashën me dosjen që ia ka mbyllur Ëngjëll Agacit te Prokuroria e Tiranës. Në qoftë se do takohej Edi Rama me Lulzim Bashën për ta shantazhuar atë, nuk do ta bënte publike, por do ta mbante të fshehur.
Në momentin që Edi Rama hedh romuze dhe hedh thashetheme nëpër tavolinat e mediave, do të thotë që Lulzim Basha i ka ngritur murin kinez Edi Ramës në komunikim dhe për këtë të jeni të bindur, dhe po jua them që këtu nuk është çështje individësh as statusi politik, as i Edi Ramës, as i Lulzim Bashës, as i Ilir Metës, as i Sali Berishës, as i Monika Kryemadhit dhe as i një njeriu tjetër, këtu është çështja e shqiptarëve.
Këtu është çështja e statusit të shqiptarëve, ku do jenë shqiptarët, do jenë anëtarë të Bashkimit Europian apo do jenë skllevër të krimit të organizuar, kjo është zgjidhja që ne duhet të ndajmë një herë e përgjithmonë. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, të gjithë fronti opozitar është pozicionuar, ne duam një Shqipëri europiane, anëtare të Bashkimit Europian. Tani kush do të jetë me Edi Ramën i bie që të jenë palë që shqiptarët të jenë skllevër të krimit të organizuar.”
