Durrësi ende një ëndërr e parealizueshme për personat me aftësi të kufizuar

Durrësi ende një ëndërr e parealizueshme për personat

Bashkia Durrës është një ndër bashkitë më të mëdha në vend dhe me një peshë të rëndësishme në sektorin e turizmit. Megjithatë, Bashkia Durrës ende nuk garanton standartet e aksesueshmërisë për qytetarët e saj me aftësi të kufizuar por edhe për vizitorët e ndryshëm.

Fondacioni ‘Së Bashku’, me mbështetjen financiare të USAID, po zbaton në Bashkinë Durrës nismën “Fuqizimi i kapaciteteve të organizatave të aftësisë së kufizuar në Durrës dhe ngritja e çështjes së aksesueshmërisë me të gjithë aktorët lokalë”. Në kuadër të kësaj nisme është hartuar me ndihmën e specialistëve, libërthi ‘Durrësi për të gjithë – Udhëzues për të garantuar aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuar në ndihmë të vendimmarrësve, specialistëve të projektimit dhe zbatimit në fushën e ndërtimit dhe aktorëve të tjerë në Bashkinë Durrës’. Ky material do të shërbejë si një mjet advokimi dhe edukimi për të promovuar standartet ligjore dhe teknike për ta bërë aksesueshmërinë një realitet në Bashkinë Durrës.

Në kuadër të këtij materiali, u evidentuan disa problematika:

  • Ndërtesat e institucioneve publike që ndodhen në Bashkinë Durrës nuk kanë shpesh asnjë element bazë të aksesueshmërise si psh. një rampë në hyrje të ndërtesës. Mund të përmendim këtu ndërtesën e Bashkisë, Teatrin e Durrësit, Gjykatën etj.
  • Trotuaret ende nuk përmbushin standartet e aksesueshmërisë. Megjithëse ka disa ndërhyrje të mira në rrugët kryesore tek të cilat vëmë re vendosjen e pjerrinave, mungojnë totalisht elementët me reliev që u vinë në ndihmë personave të verbër përveçse në rrugën e rikonstruktuar rishtas “Aleksandër Goga”. Ndërsa në disa rikonstruktime të lagjeve të banimit si psh. Kuartallat, lagja 17, trotuaret janë aq të ngushtë saqë mezi mundësojnë kalimin e një personi të vetëm e jo më të një personi me karrike me rrota apo një nëne me karrrocë fëmijësh. Kujtojmë se standarti teknik i parashikuar në rregulloren teknike kaluar me VKM nr. 1503, dt. 19/11/2008 “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar” parashikon se trotuaret duhen të jenë të gjerë jo më pak se 1.2 m duke mos përfshirë pemë, tabela etj.
  • Megjithëse në qytet ka disa tabela për parkim të rezervuar për personat me aftësi të kufizuar, ato janë shumë të pakta në numër dhe zënia e tyre pa kriter nuk monitorohet nga policia bashkiake. Jo vetëm nevojiten më shumë vende parkimi të rezervuara, të shtrira gjithandej, por vijëzimi i tyre duhet bërë në përputhje me rregulloren “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, në mënyrë që të mund të përdoren lehtësisht nga personat me aftësi të kufizuar.

  • Një problematikë tjetër është aksesi në qendrat shëndetësore dhe institucionet arsimore. Shpesh, nuk gjendet asnjë rampë në hyrje të këtyre ndërtesave por edhe kur kjo ndodhet,  duket se mjaftohen me kaq, duke mos përfshirë elementë të tjerë si tualetet e përshtatura, aksesimi i kateve të sipërme të ndërtesës, elementët për personat që nuk shikojnë dhe arredimi i brendshëm që mundëson lëvizje të lirshme për personat me aftësi të kufizuar brenda ndërtesës. I vetmi shembull i mirë është ndërtesa e re e Universitetit “Aleksanër Moisiu” e cila ka një nivel të kënaqshëm aksesueshmërie.

  • Transporti publik në Bashkinë Durrës kryhet ende me mjete të vjetëruara, të cilat nuk kanë rampë në hyrje apo hapësirë të dedikuar për qëndrimin e personave me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, transporti publik nuk ofron itinerare me zë apo me tabela të mirë përcaktuar për personat me aftësi të kufizuar në shikim dhe dëgjim.

Në bazë të ligjit nr. 93/2014 “Për përfshirjen sociale dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”, doli VKM nr.1074, dt. 23/12/2015 “Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara".

Kjo VKM përcakton detyrimin e institucionëve publike duke përfshirë bashkitë, që brenda 6 muajsh, nga kalimi i VKM, të hartojnë një plan masash për eliminimin e barrierave në kompetencë të tyre.

Megjithëse kanë kaluar 3 vjet, as Bashkia Durrës dhe asnjë institucion publik tjetër në Durrës nuk e ka hartuar planin e masave e jo më të ketë nisur zbatimin e tij konkretisht për të mundësuar më shumë akses për personat me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu, kjo VKM parashikon mosfinancimin me para publike të asnjë projekti që nuk i ka të përfshira elementët e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar.

Duhet theksuar që personat me aftësi të kufizuar nuk mund të gëzojnë dot të drejtën për arsim, punësim apo për të marrë pjesë në aspekte të tjera të jetës shoqërore e kulturore nëse ndërtesat, rrugët e trotuaret e transporti publik në Bashkinë Durrës nuk kanë elementët e aksesueshmërisë.

Durrësi ende nuk është një qytet për të gjithë pasi pengesat ekzistuese përjashtojnë personat me aftësi të kufizuar të marrin pjesë lirshëm në shoqëri dhe të jenë të dukshëm në qytetin ku jetojnë. Akoma më pak, Durrësi ofron infrastrukturë të aksesueshme për vizitorë me aftësi të kufizuar.

EMISIONET