Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 17 dhjetor 2014 , që shfuqizoi nenin 4 të ligjit për fuksionimin e KLD, e në bazë të të cilit u shkarkuan dy anëtarët e saj Elvis Çefa e Lulzim Lelçaj.
Ora News ka mundur te sigurojë të zbardhur vendimin e kësaj gjykate të arsyetuar ne rreth 40 faqe. Ajo argumenton arsyet se përse e ka shfuqizuar nenin katër, pasi binte në kundërshtim me ligjin themelor të shtetit. Dy anëtarët e KLD-së Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj u shkarkuan mbi bazën e një neni antikushtetues. Ata janë zëvendësuar me dy anëtarë të rinj nga mazhoranca, sipas ndryshimeve ligjore të 31 korrikut që e bënë të mundur këtë procedure. Ne statusin e tij ne Facebook, Lulzim Lelçaj një nga anëtarët e këtij këshilli i shkarkuar nga parlamenti shkruan se:
"Sikurse pritej pas këtij vendimi rezultati do të jetë: Legalizimi i ndërtimeve/institucioneve-kushtetuese pa leje!"
Më parë Ligji për KLD nuk parashikonte shkarkim të anëtarëve të KLD-së nga konferenca e gjyqësorit apo nga Kuvendi.
Gjykata Kushtetuese pranoi kështu pjesërisht kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, por rrëzoi ankimimin e saj dhe të presidentit të republikës lidhur me nenin 7 të ligjit për KLD-në.
Për gjykatën nuk do të interpretohet si antikushtetues zgjedhja e nënkryetarit të KLD-së vetëm nga tre anëtarët që Kuvendi ka çuar aty. Kreu i shtetit dhe PD e kishin kërkuar edhe shfuqizimin e këtij neni, pasi sipas tyre kufizohej e drejta e kushtetuese e kreut të shtetit si kryetar i KLD-së për të zgjedhur zv kryetarin edhe nga radhët e 9 gjyqtarëve që Konferenca e Gjyqësorit zgjedh për në KLD. Pavarësishtë këtyre dy vendimeve, nuk ndryshon realiteti i krijuar në KLD me ligjin e ri që miratoi shumica.
Gjithësesi Gjykata Kushtetuese ka në proces shqyrtimi edhe ankimimin e institucionit të KLD-së për procedurën e ndjekur për shkarkimin e dy anëtarëve të saj Lulizm Lelçaj dhe Elvis Çefa. Ky i fundit ishte nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për funksionimin e KLD