Burgim për jetë. Kjo është kërkesa e prokurorisë bërë në gjykatën e Laçit për Markel Bushin të akuzuar për vrasjen e dy kushërinjve. Për ngjarjen e vitit 2019, i akuzuari shprehet se ishte penduar, por qëlloi për tu vetëmbrojtur.

Prokuroria e Kurbinit, ka lexuar sot pretencën kundër të pandehurit Markel Bushi, i cili në muajin prill 2019 akuzohet se ekzekutoi me armë zjarri dy kushërinjtë, Kelvin dhe Erjon Jushi.

Përfaqësuesi i akuzës Bardhyl Shehu i kërkoi gjykatës së Laçit, dënimin me burgim të përjetshëm, për krimin e dyfishtë që tronditi qytetin e Laçit në vitin 2019.

Seanca është zhvilluar pa praninë e të afërme të dy palëve të përfshirë në konflikt gjyqësor dhe hasmëri.

Vetë personi i pandehur, Markel Bushi, ka pranuar autorësinë e krimit të vrasjes me armë të dy kushërinjve, duke shfaqur pendesë.

 Por gjatë fjalës së tij, tha se ishte detyruar të qëllonte mbi kushërinjtë Jushi, pasi njëri prej këtyre të fundit kishte nxjerë armën dhe do ta qëllonte.

Me këtë alibi personi i arrestuar dhe që rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm, pretendon se krimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme.

Ndërkohë avokatët mbrojtës kërkuan kohë që të përgatisin deklaratën e tyre dhe nisur nga kjo situatë gjykata vendosi të shtyjë seancën për një datë tjetër.

Krimi i rëndë ka ndodhur në 28 prill 2019, në qendër të qytetit të Laçit dhe shumë pranë komisariatit të këtij qyteti.

Dy kushërinjtë Mikel dhe Jani Jushi u ekzekutuan me breshëri plumbash.

Gjithçka ndodhi pasi vëllai i Markelit, Manueli është konfliktuar verbalisht me dy kushërinjtë Jushi në një lokal në qendër të Laçit.

Pas debatit, në ndihmë të tij shkuan Vincesk dhe Markel Bushi, ku gjatë hetimeve është provuar se personi që ka qëlluar mbi dy kushërinjtë ka qënë pikërisht Markel Bushi.

Ndërsa dy bashkëpuntorët e tij në këtë krim si Manuel Bushi dhe Vincesk Bushi, janë hetuar dhe gjykuar veçmas, duke u dënuar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”.

LEXO çfarë ndodhi në Laç