Demokrati, Xho Bajden, zotëron pushtet politik prej 47 vitesh, me një eksperiencë të gjatë si senator por edhe 8 vite si ish-zv.president i Amerikës.

Juristi 77-vjeçar ka dashur edhe dy herë të tjerë të garojë për president, një herë në vitin 1987 dhe sërish në 2007-ën, por këtë radhë platforma e tij politike duket më bindëse për votuesit.

Në mesin e krizës shëndetësore të covidit-19 që gjendet SHBA-ja, Bajdeni premton se vendimet e tij do i konsultojë me ekspertët e fushës, me transparencë dhe do ngre një sistem më efikas të testimit e gjurmimit të virusit dhe të mbrojtjes së personave më të rrezikuar.

Për ekonominë, kandidati demokrat e vë theksin te rigjallërimi i klasës së mesme, te rritja e taksave për miliarderët, korporatat dhe ata që përfitojnë nga lehtësirat e sistemit, te rritja pagesës për punën në 15 dollarë ora, dhe te ngritja e një infrastrukture moderne që do i japë prioritet prodhimeve vendëse, do thithë talentet edhe nga jashtë, dhe do sponsorizojë gratë.

Shërbimi shëndetësor për demokratët konsiderohet një e drejtë e çdo amerikani dhe do jetë i përballueshëm edhe për emigrantët dhe më të varfrit sipas planeve të caktuara të sigurimit.

Demokratët synojnë të luftojnë racizmin dhe të fuqizojnë zërin e përfaqësinë e afroamerikanëve si një klasë e diskriminuar dhe e pabarabartë në shoqërinë amerikane, e vënë në dukje kjo edhe në protestat e muajve të fundit.

Ndryshe nga kundërshtari i tij, Bajdeni thotë se për temën e abortit, ai do respektojë të drejtën e grave, do punojë për të ulur vdekshmërinë foshnjore për gratë me ngjyrë dhe do ketë qasje më liberale për temat si identiteti gjinor, orientimi seksual dhe komuniteti LGBT.

Për mjedisin, Bajdeni kërkon një revolucion në aspektin energjetik, një ekonomi 100 për qind të gjelbër, miqësore ndaj ambientit dhe për t’i bërë ballë ngrohjes globale që po rrezikon planetin.

Përkundër republikanëve, demokratët synojnë të ndalojnë zotërimin, prodhimin dhe importimin e armëve automatike të rrezikshme, ndërsa në diplomaci, ish-zv.presidenti do që brenda vitit të parë në detyrë të organizojë një samit global me shtetet e tjera demokrate për të adresuar bashkërisht vlerat që ndajnë dhe sfidat si korrupsioni, të drejtat e njeriut apo autoritarizmi.

Agjenda politike e Bajdenit parashikohet t’i kushtojë vendit afro 6 trilionë dollarë nëse aplikohet, 1 trilion më shumë sesa programi i rivalit të tij republikan, Donald Trump.