Vilsoni dhe Klementi u gjetën të vrarë në parcelën me 29 bimë kanabis
Policia deklaron sot se dy kushërinjtë Vilson Çutaj, 37 vjeç dhe Klement Pepaj, 21 vjeç janë gjetur të vrarë pranë një parcele ku ishin kultivuar 29 bimë kanabis sativa.
Në njoftimin e policisë të shpërdarë sot policia informon se ku u gjetën trupat e pajetë të dy të rinjve të cilët ishin vrarë me armë zjarri.
"Pas kërkimeve intensive në malet e fshatit Vrith, Malësi e Madhe, në vendin e quajtur “Rrenza e Grecajve”, u bë e mundur gjetja e trupave të pajetë të dy të rinjve, Vilson Çutaj, 37 vjeç dhe Klement Pepaj, 21 vjeç.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas ishin vrarë me armë zjarri. Gjithashtu, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe kontrollit përreth vendit të ngjarjes u gjetën të kultivuara 29 bimë kanabis" thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.
Policia ka arrestuar babain e Danjel Pepës, i riu i tretë i cili rezulton i zhdukur prej datës 3 tetor 2020, kur dhe u zhdukën edhe Vilsoni dhe Klementi.
"Në lidhje me këtë ngjarje u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasi Rrok Pepaj, lindur dhe banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij Danjel Pepaj, 25 vjeç, në fshatin Vrith, Malësi e Madhe janë personat që kanë kultivuar 29 bimët narkotike të gjetura në vendin e ngjarjes" informon policia e Shkodrës.
Në kërkim Danjeli
Vijon puna intensive, në bashkëpunim edhe me homologët e vendeve fqinjë, për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar Danjel Pepaj.
Prej së dielës policia, 4 tetor, policia kishte organizuar grupe kontrolli në të gjithë zonën duke përdorur edhe dronë për gjetjen e tre të zhdukurve. Ndërkohë vetëm dje pasdite, 8 tetor u gjetën trupat e vrarë të dy te rinjve.