Danubi arrin nivelin më të ulët në 30 vite/ Rumania ndalon përkohësisht një reaktor b*rthamor

Rumania ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të njërit prej reaktorëve të centralit bërthamor të Çernavodës, për shkak të rënies së nivelit të lumit Danub në nivele rekord të ulëta.
Kompania shtetërore Nuclearelectrica njoftoi se Reaktori 1 do të fiket në mënyrë të kontrolluar, si masë parandaluese për të shmangur dëmtimin e pajisjeve, pasi niveli i ulët i ujit rrezikon funksionimin normal të sistemit të ftohjes.
Centrali bërthamor i Çernavodës ka dy reaktorë me kapacitet rreth 706 megavatësh secili dhe siguron afërsisht 20 për qind të energjisë elektrike të Rumanisë.
Autoritetet rumune kanë bërë të ditur se vendimi nuk përbën rrezik për furnizimin me energji elektrike, pasi nevojat e vendit do të mbulohen nga burime të tjera prodhimi.
Thatësira e zgjatur dhe temperaturat e larta kanë ulur ndjeshëm prurjet e Danubit, duke krijuar vështirësi jo vetëm për sektorin energjetik, por edhe për transportin lumor në disa vende të Evropës Juglindore.
Niveli aktual i lumit konsiderohet ndër më të ulëtit e regjistruar në rreth tre dekadat e fundit.


