Zbardhet vrasja e Nikulajt, në atentat morën pjesë edhe të huaj, gjenden rrobat e djegura

Policia e Lezhës, ka mundur të zbardhë ngjarjen e rëndë të vrasjes me 6 plumba të biznesmenit, Ardjan Nikulaj.

Sipas burimeve, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë 5 persona të cilët besohet se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Bëhet fjalë për atentatin e ndodhur në 19 Prill, i cili lidhet me një seri vrasjesh të tjera të ndodhura në Lezhë, mes familjeve Nikulaj, Lekstakaj dhe Palaj.

Sipas burimeve të policisë, në vrasjen e biznesmenit Nikulaj kanë marrë pjesë dhe persona të huaj, me shtetësi Angleze, të cilët kanë lidhje shoqërore me njërin prej nipave, të dy viktimave të vrarë disa vite më parë në Balldren të Lezhës.

Motori i përdorur në vrasje, është identifikuar se është blerë tek një vajzë dhe më pas kjo e fundit ka zbuluar personin që ka blerë mjetin.

Ndërsa një palë rroba të djegura pjesërisht janë gjetur në një banesë të braktisur, ku besohet se këto rroba i përkasin autorit të krimit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET