Lirohen nga burgu dajë e nip, u arrestuan për vrasjen e Hekuran Billës në 2020

Janë liruar nga burgu Viktor Marku dhe Sebastian Mali, përkatësisht dajë dhe nip me njëri-tjetrin.

Të dy personat së bashku me Adiola Lakrën, edhe kjo e fundit e liruar disa muaj më parë, u arrestuan si njerëzit që organizuan vrasjen e biznesmenit Hekuran Billa në zonën e Komunës së Parisit, ngjarje e ndodhur në muajin qershor 2020.

Vendimi për lirimin e Markut dhe Malit është marrë ditën e sotme nga Gjykata e Tiranës, e cila pranoi kërkesën e avokatit Ilir Murati, për shuarjen e masës së sigurisë për shkak të përfundimit me 1 muaj të afateve të paraburgimit.

Nisur nga kjo kërkesë dhe duke parë edhe kohën e qëndrimit në burg,  Gjykata e Tiranës ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për Viktor Markun dhe Sebastian Malin.

Nga ana tjetër, për Prokurorinë e Tiranës, vrasja e Hekuran Billës e kryer në 11 qershor 2020 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë nuk ka asnjë autor dhe kjo ngjarje është drejt pezullimit.

Kjo pasi prokurori i çështjes, Petrit Hysi, ka vendosur të pushojë akuzat për vrasjen e Hekuran Billës për personat e arrestuar, Viktor Marku, nipit të tij Sebastian Mali dhe të dashurës së këtij të fundit, Adiola Lakrën si dhe Gjekson Pusin.

Konkluzioni i prokurorit Hysi për pushimin e akuzave ndaj katër personave të arrestuar erdhi pas më shumë se një viti hetime, të kryer për këtë ngjarje të rëndë që tronditi Tiranën.

Prokurori Hysi thotë se nuk ka prova të mjaftueshme që të vërtetojnë implikimin e tre personave të proceduar në vrasjen e Hekuran Billës.

Për pasojë prokurori ka proceduar me dorëzimin e një kërkese penale në Gjykatën e Tiranës, duke i kërkuar trupit gjykues që të pushojë veprat penale për personat e arrestuar.

Kundër pretendimeve të prokurorit Petrit Hysi, ka shfaqur mendim me shkrim, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ku argumentat kundër të saj pritet të shyrtohen nga gjyqtari paraprak i kësaj dosje penale.

Vrasja e Bilës, sipas policisë, ndodhi për shkak të hakmarrjes, pasi Billa në vitin 2006 në Angli ka vrarë vëllanë e Viktor Markut, Prel Markun.

Hekuran Billa qëlloi Prel Markun, 22 vjeç, në kokë në një klub natë në “Park Royal” të Londrës më 14 tetor 2006.

Billa u shpall fajtor në Angli për tre akuza për vrasje në tentativë dhe vrasje të Prel Markut, dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me një mandat minimal të rekomanduar prej 34 vjet.

Ky vendim u njoh nga gjykatat shqiptare, të cilat vendosën ta dënojnë Billën e deportuar në Shqipëri me 25 vite burgim. Një pjesë të dënimit Billa e vuajti në burgun e Fushë-Krujës, ku më pas mundi të përfitojë lirinë me kusht pas një vendimi të firmosur nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Pas daljes nga burgu Billa lëvizte lirshëm, ç’ka solli dhe nisjen e planeve të kundërshtarëve të tij për ta ekzekutuar.

EMISIONET