Makina del nga rruga dhe përfundon e përmbysur në Mëzez, ka të lënduar

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në zonën e Mëzezit, në Kashar, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar i përmbysur jashtë rrugës.
Pamjet tregojnë momentet pas aksidentit, ku disa qytetarë dhe ekipet e ndihmës së shpejtë i vijnë në ndihmë drejtuesit të mjetit. Në video shihet shoferi duke u transportuar me barrelë drejt ambulancës.
Sipas qytetarit që raportoi ngjarjen, aksidenti ka ndodhur në rrugën e Mëzezit, në afërsi të Casa Italia. Ai bën me dije se në automjet ndodhej vetëm drejtuesi i mjetit dhe, nga sa ka parë, nuk ka qenë i përfshirë asnjë automjet tjetër.
Paraprakisht dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin e automjetit, duke dalë nga rruga e më pas duke u përmbysur. Deri në këto momente nuk dihet gjendja shëndetësore e shoferit, ndërsa pritet që rrethanat e aksidentit të sqarohen nga autoritetet.

