VIDEO+EMRAT/ “Fermë” kanabisi me energji të vjedhur në Lezhë, dy të arrestuar dhe 4 punonjës të OSHEE nën hetim

Një bazë për kultivimin e kanabisit është zbuluar në fshatin Velë të Lezhës, ku policia ka goditur një aktivitet të dyshuar kriminal me parcela në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Aksioni antidrogë çoi në arrestimin e dy personave, ndërsa katër punonjës të OSHEE-së po hetohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

Operacioni i koduar “Lightning” zbuloi pesë ambiente të përdorura për kultivimin e bimëve narkotike Cannabis Sativa. Gjatë kontrolleve u asgjësuan 174 bimë narkotike, ndërsa u sekuestruan pajisje për kultivim, armë gjahu, një automjet, një sasi lënde narkotike dhe 18 celularë.

Në pranga ranë M. F., 39 vjeç, pronari i banesës ku ishte ngritur ambienti i kultivimit, si dhe A. M., 27 vjeç, banues në Ishull Shëngjin.

Sipas policisë, në një nga ambientet e banesës ishin vendosur llamba dhe pajisje të tjera që shërbenin për rritjen e bimëve narkotike, të furnizuara përmes një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike. Në këtë hapësirë u gjetën 119 bimë kanabisi, ndërsa dy ambiente të tjera ishin përgatitur për të njëjtin qëllim.

Kontrollet vijuan edhe në zonën pranë banesës, ku u zbuluan dy parcela me 55 bimë Cannabis Sativa, që dyshohet se ishin kultivuar nga personat e arrestuar.

Gjatë hetimeve, policia kontrolloi edhe banesën e 27-vjeçarit, ku gjeti 16 celularë, për të cilët vijojnë verifikimet mbi mënyrën e sigurimit dhe përdorimin e tyre.

Për lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, materialet i janë referuar Prokurorisë për katër punonjës të OSHEE-së: një shef grupi, lexues dhe elektricistë, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në aktivitetin e dyshuar kriminal.

 

 

EMISIONET