U kap me drogë në makinë: Fero, ekspertja e AKSH-it, në 2021 numëruese e PS në KZAZ që u padit për falsifikim rezultati
Erisa Fero punonjësja e AKSH e cila u kap në makinë ku u gjetën 58 kg drogë rezulton të jetë kallëzuar nga KQZ në prokurori për falsifikim të rezultatit të votave.
Gazetari Elton Qyno raporton per Ora News se në 22 dhjetor të vitit 2021, Erisa Fero është kallëzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) së bashku me 21 komisionere.
Fero ka qënë anëtare e PS si pjesë e një komisioni të numërimit të votave në një KZAZ.
Për shkak se në Komisionin ku bënte pjesë Fero, rezultati i votave ishte falsifikuar, KQZ ka depozituar kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës për 21 komisionerë mes të cilëve dhe Erisa Fero.
Ata janë akuzuar si të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, si dhe për heqjen apo shtimin e votave për kandidatët e partive të ndryshme.
Arrestimi
Operacioni i koduar "Restart" u krye nga prokuroria e Pogradecit në bashkëpunim me Drejtorinë e policisë Korçë.
Në makinë së bashku me Feron ishte dhe Likë Basha, djali i një biznesmeni nga Fushe-Kruja dhe një 17 vjeçar me inicialet M.K.
Lënda narkotike mendohet se vinte nga zona e Shkodrës ndërkohë që nga hetimet e kryera rezulton se tre shtetasit kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.
Ndërsa dy persona të tjerë, F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, janë shpallur në kërkim pasi rezulton se do të bënin trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.