Drejtonte makinën me 58 kg drogë, kapet në Qafë-Thanë specialistja e AKSH-it Erisa Fero. Ja si funksiononte rrjeti
Erisa Fero është arrestuar nga policia kriminale e Korçës si pjesë e një grupi që kryente tregtinë e drogës.
Gazetari Elton Qyno raporton per Ora News se Erisa Fero është shefe kompjuterike në Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, (AKSH)
Aksioni është kryer nga prokuroria e Pogradecit në bashkëpunim me Drejtorinë e policisë Korçë, duke sjellë arrestimin e zyrtares së AKSH-it dhe bllokimin e 58 kg drogë hashash.
Lënda narkotike vinte nga zona e Shkodrës, ku të implikuar kanë qënë persona nga Fushë-Kruja dhe Korça.
"Nga hetimet e kryera rezulton se tre shtetasit kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës, informoi sot policia e Korçës.
Ndërhyrja policore është realizuar në zonën e Qafë-Thanës, pikërisht tek kthesa e restorant Kukësit.
Në momentin e ndërhyrjes është arrestuar Erisa Fero, e cila drejtonte makinen ku në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Në makinë së bashku me Feron ishte dhe Likë Basha, djali i një biznesmeni nga Fushe-Kruja dhe një 17 vjeçar me inicialet M.K.
Ndërsa dy persona të tjerë, F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, janë shpallur në kërkim, pasi janë larguar me shpejtësi në momentin e ndërhyrjes së punonjësve të policisë.
Qëllimi ishte që droga të shkëmbehej në zonën e Qafë Thanës, ku mendohej si territor jashtë vëmendjes së policisë.
"Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim" informoi policia.
Aksioni aktualisht vijon për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë dhe lidhjeve të tyre.
U kallezua nga KQZ
Në 22 dhjetor të vitit 2021, Erisa Fero është kallëzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) së bashku me 21 komisionere.
Fero ka qënë anëtare e PS si pjesë e një komisioni të numërimit të votave në një KZAZ.
Për shkak se në Komisionin ku bënte pjesë Fero, rezultati i votave ishte falsifikuar, KQZ ka depozituar kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës për 21 komisionerë mes të cilëve dhe Erisa Fero.
Ata janë akuzuar si të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, si dhe për heqjen apo shtimin e votave për kandidatët e partive të ndryshme.
Reagon AKSHI
Ne mesdite, AKSHI reagoi duke sqaruar se Erisa Fero ishte ne pozicion specialistesh.
"Në vijim të deklaratës së Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, për finalizimin e operacionit “Restart”, me arrrestimin e 3 shtetasve, ndër të cilët dhe znj. Erisa Fero, AKSHI njofton se: bazuar në legjislacionin shqiptar në fuqi (Kodi i Punës), ka nisur menjëherë procedurën për shkarkimin nga puna të këtij personi. Znj. Erisa Fero, ishte punonjëse pranë sektorit përkatës të e-Albania, në nivelin Specialiste. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, dënon çdo akt të kundra ligjshëm dhe siguron se do të jetë gjithmonë mbështetës në proceset e institucioneve që veprojnë në mbrojtje të ligjit."
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.