Tritoli te Fresku “pa autor”, Policia nuk gjen kryefamiljarin, pyet të afërmit e tij

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dështuar të identifikojnë autorin e vendosjes së tritolit në apartamentin e familjes Duka në zonën e Freskut në Tiranë. Në to duket lëvizja e një personi i cili nuk identifikohet. Policia ka kërkuar dëshminë e kryefamiljarit Mehmet Duka, por nuk ka arritur ta marrë atë pasi nuk ka gjetur një adresë për vendndodhjen e tij. Të afërm të familjes kanë thënë se nuk kanë dijeni për shkaqet e sulmit.

Një ditë pas sulmit me tritol në banesën e Mehmet Dukës në zonën  e Freskut në Tiranë, policia ende nuk ka arritur ti marrë një deklaratë pronarit të banesës si përson i dëmtuar nga ngjarja.

Efektivët e komisariati nr 4 në Tiranë pas disa kontrollesh nuk kanë arritur në gjurmët e tij.

Burimet policore bëjnë më dije se ai prej 4 vitesh nuk jetonte më në apartamentin ku ndodhi ngjarja, i cili qëndronte i mbyllur.

Pasi nuk kanë arritur të gjejnë Mehemet Dukën, policia e shtetit i është drejtuar të afërmve të tij me qëllim marrjen e një deklarate për sulmin me tritol në pronën e tyre.

Ata kanë treguar se me Mehemet Dukën prej vitesh nuk kanë kontakte dhe nuk kanë dijeni se kush mund të jetë autor i sulmit me tritol.

Përveç kërkimeve, policia ka sekuestruar edhe disa kamera sigurie të cilat janë kryesisht të bizneseve në zonë.

Në pamje dallohet një person që qëndron pak sekonda në pallat dhe më pas del.

Në atë moment ndodh edhe shpërthimi i lëndës plasëse.

Por këto pamje kamerash të administruara nuk e kanë ndihmuar policinë që të ketë pamje të qartë të autorit.

Në atë zonë kanë qenë të montuara disa kamera private, të cilat janë vendosur nga familja Duka por që më pas janë prerë nga operacioni i policisë "Fijet" që synoi heqjen e mjeteve vëzhguese të vendosura informalisht në hapësirat publike.

Pistat që po ndjek policia kanë të bëjnë më të kaluarën e shtetasve Elis dhe Leoanard Duka, djem të pronarit të apartamentit.

Leonard Duka ndodhet në burg në Belgjikë në pritje për tu ekstraduar në vendin tonë ku akuzohet për një seri ngjarjesh të rënda, përfshirë edhe përplasjet me grupin e Ervis Marinajt.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

leonard duka tritoli te fresku

EMISIONET