Makina bie nga mbikalimi i Saukut, humbin jetën dy gra, katër të plagosur në spital
Dy vajza humbën jetën dhe 4 persona të tjerë mbetën të plagosur ne një aksident të rëndë në Tiranë, ku u përfshinë 2 automjete.
Ngjarja ndodhi në orën 17:55 të së enjtes në portën lindore hyrëse të kryeqytetit.
Mësohet se automjeti tip "Audi" me drejtues 20-vjeçarin K.R duke udhëtuar ne unazën lindore me drejtim levizje nga Farka per tek rrethrrotullimi pranë TEG, pasi ka humbur kontrollin, ka thyer barrierat e mbikalimit dhe përfundoi në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar mjetin tip "Honda", me drejtues 60-vjeçarin Q.K.
Fatkeqësisht dy vajzat të cilat po udhëtonin në makinë me 20-vjeçarin kanë ndërruar jetë. Ato nuk janë identifikuar ende.
Nga mjeti tjetër tip "Honda" kanë mbetur të plagosur 3 persona.
Siç shihet dhe nga imazhet e marra nga vendi i ngjarjes automjeti që ka rënë nga mbikallimi e ka kthyer në një grumbull hekurishtesh makinën poshtë nga përplasja e fortë.
Mësohet se 4 të plagosurit e këtij aksidenti janë dërguar në spitalin e Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor.
Burime nga spitali bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit K.R është me prognozë të rezervuar, në trajtim mjekësor intensiv, ndërsa pacientët O.K, A.K, Q.K ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përgjegjësinë për aksidentin me dy viktima.
Njoftimi i policisë Tiranë për aksidentin
Rreth orës 17:55, në rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare “TEG”, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshire automjeti tip "Audi" dhe automjeti tip "Honda".
Referuar mekanizmit dhe të dhënave paraprake dyshohet se automjeti tip "Audi" me drejtues shtetasin K. R., vjeç 20, ka qenë duke udhëtuar ne unazën lindore me drejtim levizje nga Farka per tek rrethrrotullimi pranë Teg, dhe pasi ka humbur kontrollin, duke thyer barrierat rrethuese te mbikalimit, ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip "Honda", me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.
Si pasojë e aksidentit rrugor kanë humbur jetën dy shtetase të pa identifikuara akoma, të cilat ishin pasagjere ne automjetin "Audi" si dhe ka mbetur i dëmtuar rëndë drejtuesi i këtij automjeti, si dhe shtetasit A. K., 51 vjeç, O. K, 24 dhe Q. K, rreth 60 vjeç, që udhetonin me automjetin tjetër.