Tërhiqet dëshmitari, Ergys Malja heq dorë nga rrëfimi për vrasjen e Endri Mustafës
Prokuroria e Shkodrës ka humbur dëshminë kryesore në lidhje me vrasjen e Endri Mustafës një vit më parë. 15-vjeçari Ergys malja, dëshmitari kryesor I ngjarjes I cili kishte marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë është tërhequr nga rrëfimi që kishte dhënë në fazën e hetimeve paraprake ku kishte pranuar se kishte qenë person okular në krim pasi e kishte shoqëruar viktimën në vendin ku ndodhi ekzekutimi në zonën e livadheve.
Dëshmitari kryesor i vrasjes së Endri Mustafës vitin e kaluar në Shkodër, 15 vjeçari Ergys Malja, është tërhequr nga bashkëpunimi me drejtësinë.
I riu së bashku me Ibrahim Licin, janë marrë të pandehur për akuzën e “Vrasjes me paramendim” ndaj mikut të tyre, Endri Mustafa, ngjarje kjo e ndodhur në muajin Maj 2021 në Shkodër.
Aktualisht kjo dosje penale është çuar në gjykatë por dëshmitari kryesor dhe njëherësh i pandehuri, Ergys Malja, është tërhequr nga rrëfimi i tij, duke pretenduar se gjithçka ka deklaruar për veten dhe Ibrahim Licin në fazën e hetimeve paraprake, ka qenë e pavërtetë.
Vullnetin e tij për tu tërhequr nga dëshmia dhe bashkëpunimi me organet e Drejtësisë, Ergys Malja, e ka shfaqur edhe përballë gjyqtarëve të çështjes. Pavarësisht kësaj situate, dy prokurorët pretendojnë se dy të pandehurit Ergys Malja dhe Ibrahim Lici, kanë marrë pjesë direkt në vrasjen e, Endri Mustafës.
Lici vijon të jetë në kërkim nga policia dhe po gjykohet në mungesë. Ai është akuzuar edhe më parë nga prokuroria si pjesë e grupit që vrau dy vëllezërit, Astrit dhe Ibrahim Bilali në Shkodrës por kjo akuzë nuk u provua.
Për pasojë çështja kundër tij u pushua. Sipas dosjes hetimore, Ergys Malja, ka nxjerrë nga shtëpia dhe e ka çuar në zonën e Livadheve, Endri Mustafën, duke e joshur këtë të fundit se kishte mbjellë një ngastër tokë me 150 rrënjë kanabis. Por sipas këtij dëshmitari, aty në zonën e Livadhes përpara i ka dalë me motor Ibrahim Lici, duke e qëlluar me armë viktimën.
Ergys Malja, më pas është larguar në shtëpinë e tij, ku dhe ka fjetur gjumë. Por një ditë më pas ka qenë vetë Malja, që ka çuar policinë kriminale, në vendin ku ishte fshehur trupi i pajetë i Endri Mustafës.
Ai është qëlluar me 7 plumba, ku 6 i kanë prekur organet jetësore dhe një plumb e ka pasur në gojë. Në dosje thuhet se, viktima Endri Mustafa, është larguar nga banesa mbrëmjen e 15 majit 2021, rreth orës 22:00.
Plot 24 orë më pas bashkëshortja e tij, Ingrid Mustafa, ka bërë kallëzim në polici se 32-vjeçari ishte zhdukur në rrethana të mistershme dhe se personi i vetëm që e kishte thirrur dhe nxjerrë nga shtëpia, ishte pikërisht, Ergys Malja.

