Skandali me fondet e pensioneve në Durrës, 3 zyrtarë para Gjykatës për masën e sigurisë

Ka nisur në Gjykatën e Durrësit seanca për caktimin e masës së sigurisë për tre punonjëset e Postës Shqiptare, të arrestuara për abuzim të dyshuar me fondet e destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Në bankën e të akuzuarve janë ish-drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Doni dhe arkëtarja Paola Dana.
Tre zyrtaret u arrestuan pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Durrësit, pas dyshimeve se nuk janë arkëtuar në degët e Postës në Shijak dhe Krujë rreth 69 milionë lekë të rinj, të cilat ishin parashikuar për pagesat e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026. Prokuroria dyshon se shuma është përvetësuar në bashkëpunim nga tre të arrestuarat.
Për këtë çështje është regjistruar procedimi penal për veprat “shpërdorimi i detyrës” dhe “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.
Seanca po zhvillohet nën drejtimin e gjyqtarit Xhevdet Lika, ndërsa prokuror i çështjes është Gazmend Frëngu. Gjykata pritet të vendosë nëse ndaj tre të arrestuarave do të caktohet masa e sigurisë “arrest me burg” apo një masë tjetër.

