Fluks në Portin e Durrësit, 5 mijë udhëtarë dhe 1.300 automjete mbërrijnë nga Italia

Porti i Durrësit po përballet me një rritje të ndjeshme të fluksit të emigrantëve dhe turistëve, të cilët kanë zgjedhur tragetet për të udhëtuar drejt Shqipërisë gjatë sezonit veror.
Gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijnë rreth 5 mijë udhëtarë, së bashku me afro 1.300 automjete. Shumica e tyre vijnë nga portet italiane të Barit dhe Ankonës, duke transportuar bagazhe dhe automjete për të vijuar pushimet apo për të vizituar familjarët në zona të ndryshme të vendit.
Sipas të dhënave, në linjën Bari–Durrës do të operojnë katër tragete me dopio korsë, ndërsa një traget do të mbërrijë nga Ankona. Tre prej trageteve do të ankorohen gjatë paradites, ndërsa dy të tjerët priten në orët e mbrëmjes.
Fluksi i udhëtarëve rezulton më i lartë krahasuar me muajin qershor dhe pothuajse në të njëjtat nivele me korrikun e vitit të kaluar.
Për të përballuar numrin e lartë të udhëtarëve, autoritetet portuale kanë vënë në funksion 18 sportele për përpunimin e tyre, ndërsa për kamionët janë në dispozicion një shesh dhe sportel i dedikuar.

